Miqësorja/ Lushnja dhe Laçi ndalen nga… vapa

Barazim në testin e parë të skuadrës së Banos, që provon gjithë lojtarët. Trajneri i Laçit, Nica, kërkon përforcime

Arjan Likja

Lushnja ka zhvilluar dje pasdite miqësoren e parë të përgatitjeve verore. Në “Roza Haxhiu” priti Laçin, në një ndeshje të luajtur në temperatura të larta. Dy ekipet kanë hedhur në fushë formacionet më të mira. Për t’u theksuar është fakti se formacionet e Lushnjës dhe Laçit bazoheshin te titullarët e kampionatit të kaluar. Për Lushnjën, vetëm portieri Bejte dhe sulmuesi Pepa nuk ishin pjesë e sezonit të kaluar. Kurbinasit kishin në përbërje 7 futbollistë nga sezoni i kaluar.

NDESHJA – Takimi ka nisur i qetë, me qarkullim te dendur topi në mesfushë nga të dy ekipet. Më pas lushnjarët kanë marrë “frenat” e lojës në dorë, duke krijuar epërsi, por rasti i parë erdhi në minutën e 38-të, kur Mone godeti nga distanca dhe topi kaloi ngjitur me shtyllën pingule të Selmanit. Ka një rast edhe për Sefën brenda zonës, ku sulmuesi humbi një mundësi të mirë.

Fraksioni i dytë i ndeshjes solli ndërrime të shumta për të dyja skuadrat. Trajneri Bano largon Pepën, Byzhytin, Maganin dhe Xhafën për të aktivizuar Meton, Bitrin, Ruçon dhe Bufasin. 10 minuta më vonë, tekniku Nica, duke parë superioritetin e vendasve, ndërhyn me ndërrime të njëpasnjëshme, duke aktivizuar të gjithë ata që kishte në stol. Rastin e parë në pjesën e dytë e ka Lushnja, me Meton, i cili, nga një goditje dënimi “qeth” traversën. Sefa, nga afër zonës, godet bukur me kokë, por Selmani shpëton portën. Laçianët rrezikojnë me Shehun dhe Ejo, por Bitri ndërhyn dhe shmang rrezikun. Kjo ndeshje miqësore nuk mund të mbyllej pa kontributin e veteranit Gentian Çela, i cili me një goditje të bukur në ecje e sipër, i afrohet golit, por pa rezultat. Takimi përfundon 0-0, me dy skuadra që janë në kulmin e përgatitjeve verore.

Nica “ngel në klasë” të rinjtë

“Ne dhe Lushnja e zhvilluam këtë miqësore për të parë ku jemi me përgatitjet. Kjo periudhë për ne është akoma në fazën e seleksionimit të futbollistëve. U dhashë mundësinë shumë futbollistëve të rinj për të luajtur dhe për të treguar vlerat e tyre. Më ka rezultuar se asnjë nga ata që ishin në provë nuk më bind, të paktën deri më tani. Disa prej tyre, edhe pse kanë luajtur me përfaqësueset e moshave, nuk e kanë kaluar provën time. Ekipi i ka me pikatore lojtarët me eksperiencë, që mund të mbajnë mbi supe peshën e garës, ndaj duhen afrime për të shkuar aty ku duam të gjithë”, tha pas ndeshjes djeshme trajneri Nica.

Lushnja – Laçi 0-0

Lushnja: Bejte, Byzhyti, Xhafa, Mone, Magani, Taullau, Korreshi, Branica, Pepa, Canka, Sefa. Trajner: A. Bano. (U aktivizuan: Meto, Bitri, Ruço, Çakalli, Çela, Qejvani, Bufazi).

Laçi: Selmani, Qaqi, Gjoni, Sefgjini, Duda, Jonuzi, Shala, Vucaj, Bushi, Bardhi, Vatnikaj. Trajner: S. Nica. (U aktivizuan: Hasa, Fangaj, Smaçi, Kallaku, Duka, Shehu, Ejo, Xhixha).

Gjyqtarë: L. Alla, E. Malo, M. Qose (Lushnjë)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *