Në fillim të javës së ardhshme pritet të grumbullohet ekipi, por ende nuk dihet stafi teknik, ndërsa lojtarët s’janë njoftuar
Gëzim Beqiri
Më së fundi ka një datë për grumbullimin e Luftëtarit. Të hënën gjirokastritët do të fillojnë fazën përgatitore, ditë e caktuar nga presidenti i ekipit, Grigor Tavo, por zyrtarisht nuk është deklaruar ende nga klubi. Ndoshta jo të gjithë futbollistët do të jenë të pranishëm ditën e parë të stërvitjes, sepse deri dje nuk ishin njoftuar për t’u grumbulluar, as për orën dhe as për vendin.
Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga e hëna, ende nuk dihet se kush do të jetë stafi teknik dhe futbollistët që do të grumbullohen, edhe pse nga drejtuesit është thënë se do të vazhdojë serbi Milinkoviç dhe po ai grup lojtarësh. Kjo heshtje e gjatë mund të justifikohet me nisjen me vonesë të kampionatit, ndërkohë që më të ndjeshëm dhe më të interesuar janë sportdashësit e shumtë gjirokastrite, të cilët presin një Luftëtar më ambicioz se një sezon më parë. Nëse e hëna do të jetë thjesht sa për të thënë se edhe Luftëtari filloi përgatitjet apo justifikim për vonesat e deritanishme, nuk i shërben aspak ekipit. Në fakt, jo se nuk ka interesim nga drejtuesit kryesorë. Konkretisht, dje janë parë së bashku disa donatorë, të cilët, përveçse do të investojnë, janë në kërkim edhe të mbështetësve të tjerë, duke dhënë idenë se kërkohet më shumë mbështetje financiare për sezonin e ri.
Edhe në Këshillin Bashkiak ka një shqetësim për situatën, ku ndodhet ekipi i futbollit, duke qenë ndër më të vonuarit në përgatitjet për kampionatin, krahasuar jo vetëm me ata të Superiores. Për këtë qëllim është kërkuar dhe vënë në rend të ditës situata në klubin e futbollit, ku bashkia ka 25% të aksioneve. Qëllimi është që të krijohen mundësi të tjera financimi dhe mbështetje më e madhe, për të pasur një skuadër sa më konkurruese në kampionat. Deri tani te Luftëtari “mungojnë të gjitha”, veçanërisht data e fillimit të stërvitjes dhe, nëse dështon edhe e hëna, do ta ketë të vështirë ta përballojë garën. Deri në datën e fillimit të kampionatit, 9 shtator, mbeten edhe 45 ditë. Pra, koha nuk pret.