Trajneri Elidon Demiraj: Mësova se do të ketë largime titullarësh, nuk mund të ndërtojmë çdo vit ekip nga e para…
Bujar Rama
Elidon Demiraj nuk do të jetë më në drejtimin e skuadrës fierake. Këtë e ka bërë me dije vetë trajneri i Apolonisë gjatë një konference për shtyp. Demiraj ka dhënë dorëheqjen si trajnues, pasi nuk ka arritur akordin me drejtuesit e klubit, të cilët kanë qenë larg kërkesave të Demirajt, jo në treguesit financiarë, por në aspektin e formatimit të skuadrës dhe objektivave për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht dorëheqjes, Demiraj i falënderon plot etikë profesionale të gjithë, duke deklaruar njëherësh se Apolonia është e do të mbetet gjithmonë pjesë e pandashme e tij.
– Demiraj, deklaroni se nuk do të jeni trajner i Apolonisë për sezonin e ardhshëm. Pse? Ju larguan apo u dorëhoqët?
– Jo, nuk më kanë larguar, kam dhënë dorëheqjen. Ka qenë një ndarje me mirëkuptim nga të dyja palët, pasi nuk u arrit në një emërues të përbashkët me drejtuesit e klubit.
– Diçka më konkrete në lidhje me shkaqet e largimit. Ku nuk u dakordësuat? Bëhet fjalë për akord financiar apo elemente të tjera?
– Së pari, po ju them që unë kurrë nuk i kam mëshuar anës financiare, kurrë nuk ka qenë ajo primare për mua, sepse Apolonia është pjesë shumë e rëndësishme imja: si fierak, si tifoz, si ish-futbollist dhe si trajner i saj. Çështja ka të bëjë tërësisht me skuadrën, me kërkesat e mia për përbërjen, formatin, karakterin dhe objektivat e Apolonisë. Ua kam bërë me dije drejtuesve të klubit se këtë sezon doja që të ndërtonim një ekip konkurrues, duke ruajtur grupin e krijuar gjatë sezonit që lamë pas, e duke ofruar lojtarë me cilësi, për të rritur konkurrencën brenda grupit, për të krijuar një skuadër pretendente e për të synuar fort rikthimin e Apolonisë në lartësinë e merituar të emrit të saj.
– Dhe cili ishte qëndrimi i drejtuesve të klubit? Nuk do të ruhet grupi apo nuk ju ofrojnë mundësinë e përforcimeve?
– Secila veç e veç e të dyja së bashku. Me sa kuptoj, do të ketë sërish largime te tjera nga skuadra dhe as që bëhet fjalë për pjesën tjetër, pra për prurje cilësore. Klubi, kam idenë se do të fokusohet tek të rinjtë, prurje nga Akademia jonë. Fakti që produkti i të rinjve tanë promovohen është pozitiv, por a mendohet për objektivat e Apolonisë? Sa u shërben atyre? Për çfarë objektivash? Në këto kushte e kisha të pamundur të vazhdoja drejtimin e skuadrës. Nuk mund të fillohet çdo vit nga gati niveli zero.
– A ka një peng Demiraj në atë që po lë pas?
– Më lejoni t’ju them se po largohem me zemër të thyer, jo me dëshirë. Arsyeja? Pikërisht pengu që thoni ju. Pengu i madh është puna e jashtëzakonshme njëvjeçare që kemi bërë, formimi i grupit nga një skuadër tërësisht e transformuar dhe thuajse e re në fillim të sezonit të kaluar. Këtë sezon mendonim ta përmirësonim dhe ta përforconim me disa elementë të tjerë cilësorë e kësisoj të bënim skuadrën e duhur për në Superiore. Por, gjithçka duket se do të zhbëhet e do të rinisë nga e para. Apolonia është një skuadër për të cilën jam përpjekur të jap më të mirën time, por edhe ajo më ka dhënë aq shumë. Më dhemb, por nuk mund të vazhdoja dot në këto kushte, besomëni, pasi klubi nuk është i prirur për të bërë investime për një ekip kompetitiv. Nuk e kam bërë largimin thjesht për ambiciet normale profesionale që një trajner ka për një skuadër të fortë dhe me synime elitare, por po aq dhe më shumë e kam bërë për emrin e Apolonisë, që duhet të gjejë e të ngjitet në identitetin e saj. Pavarësisht të gjithave, dua ta mbyll me një falënderim: për tifozët tanë të mrekullueshëm, që janë lojtari “12” dhe që gjithmonë kanë të drejtë; për të gjithë lojtarët, për mundin, përpjekjet, sakrificën dhe kontributin e tyre gjatë një sezoni aspak të lehtë; për stafin dhe bashkëpunëtorët e mi të përkushtuar: Theodhori Rama, Marko Mërtiri dhe Kosta Sera, si dhe për drejtuesit e klubit – për gjithë periudhën e bashkëpunimit. Unë jam aty, edhe pse nuk do të jem trajner i Apolonisë. Jam e do të jem në çdo ndeshje të skuadrës, fizikisht dhe me zemër e shpirt, aty në stadium, duke ndjekur me pasion e me emocione shumë më të ndjeshme se një tifoz i thjeshtë ecurinë e Apolonisë – skuadrës që s’kishte se si të mos bëhej pjesë e “lëkurës” sime. Së fundi, por jo të fundit nga rëndësia, falënderime dhe për ju mediat sportive, që keni përcjellë me profesionalizëm, korrektesë dhe frymën e duhur kritike çdo zhvillim të skuadrës.