Daja: Ndryshojmë manovër, nuk i mendoj penalltitë

Trajneri i Skënderbeut kërkon nga të tijtë të menaxhojnë sa më mirë situatat dhe të luajnë pse jo më mirë se në Almati

Leonard Trebicka

Paraqitja e mirë e Skënderbeut në ndeshjen e parë u vlerësua kryesisht si sukses i trajnerit Ilir Daja, por ai me modesti ka thënë në konferencën e djeshme për shtyp se aktorët kryesorë janë lojtarët. E ka studiuar me hollësi Kairatin dhe ndeshjen e parë, për të marrë masat dhe për të synuar kualifikimin. Siç pohon edhe vetë, Skënderbeu do të ndryshojë sot manovrën e lojës, por jo lojtarët. Trajneri Daja pret që ekipi të luajë pse jo më mirë se në Kazakistan. Ai kërkon lojën e thjeshtë dhe menaxhimin e mirë të çdo situate. Ka shumë besim të përvoja e ekipit që drejton.

– Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, si do ta menaxhojë Skënderbeu ndeshjen e kthimit?

– Ndeshja e kthimit është më e vështirë se ajo e para një jave, pasi kundërshtari do të bëjë gjithçka, duke kërkuar kualifikimin, ashtu si ne. Nga ana tjetër, pritshmëria e tifozëve tanë është që ne të kalojmë më tej dhe kjo gjë duhet të na motivojë dhe jo të ndikojë në rrjedhën e lojës.

– Si mendoni ta zgjidhni taktikisht këtë ndeshje?

– Detajet nuk mund t’i them para ndeshjes, pasi do të ishte një bonus për kundërshtarin. Bashkë me djemtë, e kemi bërë analizën e ndeshjes së parë, duke nxjerrë pikat e forta dhe të dobëta të Kairatit. Mbi bazën e tyre, do të mundohemi të bëjmë mirë në sulm dhe në mbrojtje.

– Do të ketë ndonjë ndryshim në formacion?

– Do të thosha se do të ketë ndryshim në manovër, përderisa kemi bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, ku të gjithë dhanë maksimumin. Pjesa më e madhe do të jenë ata që ishin edhe në Almati.

– Goli në fushë kundërshtari ju jep më shumë garanci, apo jo?

– Në ndeshjen e parë, përveç golit, kemi bërë edhe një lojë të mirë. Luajtëm si të barabartë, pavarësisht se ishim në transfertë dhe kishim diferencën e orës, që ndikon shumë në ndeshje. Tani do ta vuajë Kairati. Mendoj që nesër (sot) do të bëjmë atë që bëmë në Almati. Jemi në rrugën e duhur për të vazhduar më tej.

– Kur flisni për manovër, keni parasysh lëvizjet e pjesës së dytë në Kazakistan?

– Jo, mënyrën si do të ndryshojmë fazën e mbrojtjes dhe të sulmit. Ndërsa lëvizjet diktohen nga dinamika e lojës.

– Xhejms vuajti shumë ndeshjen e parë. Do të jetë sërish i vetëm përpara?

– Do të kemi spostime të disa lojtarëve nga ndeshja e parë. Me ndryshimin e manovrës, do të ketë edhe ndryshime në vendosjen e disa lojtarëve në fushë. Këtë do ta shihni në lojë.

– Do ta presë Skënderbeu Kairatin, apo do të sulmojë?

– Të dyja. Do të bëjmë presing të lartë, kur ata të kenë topin dhe do ta sulmojmë, kur kundërshtari do të japë gjerësi dhe gjatësi në fushë.

– Jeni përgatitur për penalltitë?

– Të them të drejtën, asnjëherë nuk jam përgatitur për penallti, sepse sado të stërvitesh, doza emocionale e ndeshjes është tjetër gjë. Natyrisht, kemi në plan se kush do të jenë gjuajtësit e penalltive, pavarësisht se shpresojmë të mos shkojmë deri aty.

– Në ndeshjen e parë e mundët trajnerin e Kairatit…

– Aktorët kryesorë janë lojtarët. Mendoj se duhet të bëjmë më mirë atë që kemi bërë në ndeshjen e parë dhe të përmirësojmë veten.

– Euforia në qytet, e ndihmon apo e pengon ekipin?

– Nuk kemi pse të jemi euforikë, sepse ndeshjet me sistem eliminimi vendosen pas 180 minutash. Besoj se pjesa e entuziazmit që ka qyteti duhet menaxhuar drejt, që të mos na kthehet në të kundërt. Nuk duhet të ketë dozë mbivlerësimi, që të na pengojë manovrën tonë. Kësaj i druhem dhe lojtarët me eksperiencë duhet të dinë ta menaxhojnë këtë situatë.

– Cilat janë këshillat tuaja të fundit për lojtarët?

– E kam thënë gjatë gjithë javës: Më e thjeshta, është gjithnjë më e vështira. Nëse bëjnë më të thjeshtën, lojtarët kanë bërë më të mirën e mundshme. Duhet të jenë sa më të shpejtë për të shfrytëzuar zonat e kundërshtarit.

– Sa herë e ke parë golin e kundërshtarit në Kazakistan?

– E kam parë shumë herë, por po aq e kanë parë edhe lojtarët mënyrën si ka lindur aksioni. Kemi pasur gabime në vazhdimësi, që nga filtri i parë deri në fundin e aksionit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *