Panuçi në stolin e Shqipërisë, do të përfitojë 240 mijë euro!

Pas 34 ditësh që pas largimit të De Biazit, kombëtarja e Shqipërisë bëhet me trajner. Sot ish mbrojtësi pritet në Tiranë për të firmosur dhe nesër bëhet prezantimi. Kontratë më “e varfër” se e De Biazit

Anton Cicani
“Shihet gjithmonë rruga më e mirë për t’u ndjekur, por zgjidhet rrugëtimi me të cilin je mësuar…”. E firmosur, Paulo Koeljo! Sigurisht, nga vendlindja e poetit dhe novelistit të famshëm brazilian deri në Savona të Italisë, duhet të kalohen tre kontinente, por një thënie mund të udhëtojë më shpejt se sa një mjet fluturues… Fundja, shpejtësia e zërit vjen menjëherë pas asaj të dritës. Dhe, nëse këto distanca që lidhin thënien e novelistit me vendlindjen e pasuesit të Xhani de Biazit në stolin e Shqipërisë janë të mëdha, Armand Duka mund t’I afrojë shumë shpejt. Mjafton një firmë mbi kontratë, një shtrëngim duarsh dhe një “ok, suksese në detyrën e re!”. Ajo nuk do të jetë e vështirë. Fundja, për kreun e futbollit shqiptar, në vitin e zgjedhjeve, mjafton një bisedë, një shikim në sy dhe një akord ekonomik (pjesa më e rëndësishme e drekës apo darkës me Dukën) për t’u përzgjedhur. Kështu, Kristian Panuçi, i lindur në Savona, vetëm 500 km larg Sarmedes së Xhani de Biazit, i merr vendin “Ganiut” në stolin e përfaqësues kuqezi.

Negociatat – Kontakti i parë mes të dyve ka ardhur në fillim të korrikut, në ditët e para, teksa në atë periudhë Duka kishte biseduar edhe me Alberto Kamolezen dhe Valter Zengën, ndërsa i kishte mbyllur derën kërkesave të çmendura ekonomike të Inzagit, që nëpërmjet një menaxheri kishte paraqitur kandidaturën e tij me 1 milionë euro rrogë në vit, bashkë me stafin të përbërë nga 5-6 persona. Që në takimin dhe bisedën e parë me ish trajnerin e Ternanës dhe Livornos, kreu i FSHF-së ka mbetur i goditur nga mënyra se si Panuçi është shprehur dhe ka parashtruar objektivin dhe dëshirat e tij. “Jam i nderuar për faktin që një federatë e huaj më kontakton për stolin e kombëtares”. Dhe, jo vetëm kaq, por në atë takim, Duka dhe Panuçi ranë dakord mbi gjithçka, pra që nga rroga dhe deri te stafi teknik e projekti apo idetë e ish-mbrojtësit të Milanit, Romës, Real Madridit e Çelsit. U ndanë me një “shihemi!”, por që nuk ishte lamtumirë.

U rrezikua – E megjithatë, zgjedhja e Panuçit si post De Biazi u rrezikua. Për dy javë, Kristian Panuçi nisi të mbetej disi në hije dhe u frikësua nga fakti se mos Dukës i kishte pëlqyer një tjetër profil, ndoshta me shumë eksperiencë. Në fakt, nga të gjithë trajnerët e lirë të kontaktuar, vetëm Klarens Sedorf është i ri po aq sa Panuçi, sepse nga Zenga, te Kamoleze, Malezani dhe De Kanio, kanë kaluar në disa skuadra dhe kanë moshën e duhur. E megjithatë, në fund, fitoi ai, “basti” i Armand Dukës, sepse kështu mund të quhet.

Detajet – Kanë qenë 24 orë ku Duka ka vendosur përpara tavolinës kandidatët seriozë: Sedorf, Zenga, Panuçi dhe De Kanio, pasi kishte fshirë nga lista e tij edhe Alberto Malezanin. Presidenti i federatës, mes zërave që vinin nga majtas djathtas, apo edhe mesazheve telefonike, në fund është mbyllur në zyrën e tij dhe ka reflektuar, sigurisht edhe në bazën e shifrave, pasi sigurisht që kualifikimi në Euro 2016 nuk është se ka pasuruar federatën në atë formë sa të kërkojë edhe trajnerë me një rrogë prej 800 deri në 1 milionë euro në vit. Kështu, akordi me Panuçin u arrit, sipas asaj që ka mësuar “Sport Ekspres” për një rrogë të barabartë me 20 mijë euro në muaj, që në vit janë 240 mijë euro. Praktikisht, një rrogë edhe më e vogël se ajo e Xhani de Biazit. Mund të ketë të përfshira edhe bonuse në rast suksesi në ndeshjet e mbetura të eliminatoreve të Botërorit 2018, por kjo është një tjetër çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *