Formacioni me shumë dilema, Karioka “halli” më i madh i Kukësit

Nëse braziliani nuk rikuperohet atëherë trajneri Gjoka duhet të formatojë të gjithë mesfushën. Për drejtorin sportiv, Kukësi e ka zgjidhjen në shtëpi

Jurgen Zela

Tashmë Kukësi është zyrtarisht në javën anti-Sherif, dhe vetëm pas pesë ditësh do të ketë debutimin e madh në Champions League. Verilindorët vijojnë përgatitjet në Austri, aty ku kanë për afro dy javë që përgatiten për ndeshjet europiane të kësaj vere. Objektivi është arritja e grupeve të Europa League-s, megjithatë përpara është një pengesë mjaft e vështirë. Gjithçka po shkonte mjaft mirë deri para ndeshjes me Dinamon e Moskës, kur Karioka dhe Musolli u dëmtuan. Mesfushor kosovar nuk kishte asgjë serioze, ndërsa braziliani vijojnë periudhën e rikuperimit.

FORMACIONI

Në miqësoret e zhvilluara në tokën austriake, tekniku Ernest Gjoka ka aplikuar në të gjitha përballjes një skemë për Pejiç përpara dhe Eminin në mbështetje të tij. Edhe pse gjatë ndeshjes ka provuar module të ndryshme, me shumë gjasa Pejiç do të mbetet i vetëm në vijë e parë të sulmit. Me Zeqirin dhe Nasar që ende nuk e kanë arritur formën e tyre maksimale, “hallet” për stafin e Kukësit lidhen me rikuperimin e Zhan Kariokës. 28-vjeçari konsiderohet një pikë mjaft e rëndësishme për skuadrën, duke qenë një titullar fiks gjatë kampionatit dhe i projektuar si i tillë dhe në ndeshje me Sherifin. Stafi mjekësor po bën të pamundurën që mesfushori të jetë i gatshëm që për takimin e parë, madje dhe mjeku Mel Ostreni ka udhëtuar drejt Austrisë, pasi nëse do të ndodhte ndryshe, do të ishte një problem jo i vogël për trajnerin Gjoka. Nëse Karioka nuk do ia dilte që të rikuperohej në kohë, problemi do të ishte i madh, për shkak se mungojnë alternativat në krahun e djathtë të mesfushës dhe do të improvizohej sulmuesi Guri si një mesfushor krahu. Nëse Zeqiri do të rrisë performancën e tij në këto ditë të mbetura, me shumë gjasa do të jetë vlonjati pas kroatit Pejiç. Gjithçka mbetet në dorën e stafit të Kukësit, por dëmtimi i Kariokës, i ka ndërlikuar shumë llogaritë. Në Kukës urojnë që braziliani të jetë i gatshëm sa më parë, pasi sinjalet janë pozitive dhe mundësia është e madhe që në Moldavi të zbresë në fushë si titullar.

DREJTORI

Klubi i Kukësit në organikën e tij nuk e ka një drejtor sportiv të emëruar, megjithatë kjo gjë nuk përbën aspak problem. Edhe pse në UEFA duhet të dorëzohet organika e lojtarëve së bashku me stafin e plotë teknik, Kukësi e ka zgjidhjen gati për postin e drejtorit sportiv. Edhe pse në një mënyrë a në një tjetër prezenca e shefit të klubit e mbulon pjesërisht në aspekt formal këtë pozicion, duke mos e bërë kusht të paevitueshëm emërimin e një drejtori sportiv. Edhe nëse duhet formalisht që skuadra të ketë me doemos një drejtor sportiv, Kukësi në “familje” ka dy persona që janë licencuar për ta mbuluar këtë pozicion. Si shefi i klubit Jonuz Hallaçi dhe menaxheri i skuadrës Naim Halili kanë kryer kurset përkatëse dhe janë tashmë të liçensuar. Diçka e tillë bën që kampionët të vijojnë me të njëjtën organikë dhe në kupat e Europës, për të parë pas tyre se çdo të ndodhë. Vetë presidenti Gjici pak kohë më parë bëri me dije se do të afronin një drejtor sportiv, madje duke zbuluar dhe se nuk do të jetë shqiptar.

Pozicioni i drejtorit në Kukës ka mbetur vakant që pas ikjes së Dritan Dervishit tetorin e shkuar.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *