Inferiorë, sepse duam!

Nga tifozët e Partizanit të kthyer në kufirin bullgar sepse janë “shqiptarë” te “petalet me trëndafila” mbi lojtarët e Makabit Haifas në kryeqytet… Kur shteti yt s’të mbron të drejtat më themelore

Anton Cicani

“Një popull jetim është fatkeq. Atë e marrin nëpër këmbë, i mohojnë origjinën, gjuhën dhe bukën e gojës. E shtyjnë dhe pështyjnë. I marrin nderin. Kush do ta shpëtojë? Veten do të shpëtojë…”. Kush e ka parë filmin “Lulëkuqe mbi Mure” ndoshta e mban mend edhe këtë fjali të thënë nga mësuesi i shkollës, rol i luajtur nga Timo Flloko, i cili thuajse i përlotur, pasi Sulo kishte humbur jetën, shpërthente në këtë fjali të gjatë dhe kuptimplotë… Ishte koha kur Shqipëria qëndronte nën “kthetrat” e Italisë fashiste, teksa ishim kokulur dhe të shtypur. Ka kaluar thuajse një shekull nga ajo kohë e mallkuar, por mbetemi të tillë… Jo sepse dikush na ka hipur sipër, por sepse preferojmë të qëndrojmë poshtë dhe të mbetemi servilë dhe sahanlëpirës. Pikërisht kështu! Edhe kjo fjalë do të ishte shumë pak për të përshkruar politikën shqiptare dhe ata që na përfaqësojnë, teksa çdo katër vjet paraqitemi për të votuar dhe për t’u besuar përfaqësimin tonë atyre.

Ju do të thoni, çfarë lidhje ka kjo gjë me futbollin? Sepse është sporti më popullor në botë, ai që afron turmën, ai që mundohet të bëjë që njerëzit të harrojnë streset dhe hallet, problemet e tyre, të cilat një gotë alkool do t’i shuante duke i dëmtuar në të njëjtën kohë. Futbolli s’mund të dëmtojë, ai është një mundësi për t’u zbavitur, për të kaluar mirë, për t’u mbledhur në komunitet, për të shfryrë nervat, për të bërtitur dhe çliruar energjinë negative, por edhe për t’u miqësuar me shumë persona. Në shkallët e stadiumit mund të gjesh çdo lloj stereotipi. Dhe, të ndjekësh skuadrën e zemrës, sigurisht, duhet të jetë diçka e mrekullueshme. Dikush preferon të shkojë në plazh, dikush tjetër në vende malore, por ka edhe nga ata si tifozët e Partizanit që udhëtojnë për 10 orë të tëra me autobus (thuajse 900 km) dhe më pas detyrohen të kthehen pas, sepse në kufirin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, pasaportat e tyre shihen me përçmim. “Nuk mund të kaloni!”, u thuhet sikur të kishin dalë 10 km larg Tirane…  ose sikur të ishin nisur drejt Durrësit. Teka bullgare dhe heshtje totale e autoriteteve shqiptare. Fundja, çfarë rëndësie ka se kthehen 100 shqiptarë që donin të shkonin në Bullgari për të ndjekur një ndeshje futbolli…

Nga kufiri bullgar te kufiri imagjinar mes policisë së shtetit dhe tifozëve shqiptarë në Tiranë. Aty ku skuadra izraelite e Makabi Haifas mbërriti e rrethuar nga një mburojë e pathyeshme. Sikur ishte në embrion. Policia blindoi hotelin e tyre, por jo vetë kaq, në stadium, dje, teksa temperaturat shënonin 35 gradë celsius, policia hiqte gotat plastike për ujë, hidhte tapat dhe të merrte edhe të hollat nga xhepi. Një situatë e njëjtë me atë të Shqipëri-Izrael, ku kollaret dhe këmishat zunë vendin e popullit të thjeshtë, atij që heq bukën e gojës për të blerë një biletë…

E ndërsa të huajve që mbërrijnë në Shqipëri i krehim bishtin në çdo formë, aq sa edhe të marrim dy autobusë me tifozë serbë  për të ndjekur një sfidë, teksa në Beograd na masakruan dhe terrorizuan, duhet të mendojmë se ndoshta jemi të vegjël, sepse kështu kemi vendosur të jemi dhe jo sepse s’mund të bëhemi të mëdhenj. Fundja, nga “Lulëkuqet mbi mure” te realiteti ynë, ndryshon vetëm fakti që aty luhet një film, ndërsa këtu luhet me identitetin e popullit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online