Pas Sefës, Shkëmbi pret edhe 3 lojtarë te Liria

Sefa e Morina kalojnë nga Kamza te skuadra nga Prizreni. I ndjek edhe mbrojtësi Vrapi së bashku më të riun Kristi Kote, i cilësuar si pasardhësi i Shkëmbit

Jetmir Sefa shkon te Liria. Mesfushori nga Tirana ka gjetur marrëveshjen me klubin nga Prizreni, duke mbyllur gjithçka me shpejtësi dhe duke firmosur. Tashmë 30 vjeç, Sefa nis një aventurë të re, duke i shtuar edhe një klub CV-së së tij të pasur, ndërsa del për herë të parë nga Shqipëria. Vendimtar në kalimin e tij në Kosovë ka qenë natyrisht ish-shoku i skuadrës Bledi Shkëmbi, tashmë trajner i Lirisë, i cili e ka deklaruar edhe më parë se do të kërkojë disa elemente nga futbolli ynë. Mesfushori sezonin e fundit ndihmoi Kamzën të ngjitej në Superiore, por më parë ka luajtur gjithnjë në elitë, duke e nisur te Tirana, duke dalë kampion me Bledi Shkëmbin në Korçë në vitin 2010/2011 e duke vazhduar më pas te Kastrioti, Bylisi, Laçi, Tirana e Vllaznia.

VRAPI – MORINA

Ndërkaq, pranë zyrtarizimit te skuadra nga Prizreni është edhe qendërmbrojtësi Endri Vrapi, që sezonin e fundit e mbylli te Vllaznia. Eksperienca e mbrojtësit nga Elbasani i duhet Shkëmbit, që do ta kishte atë si një trajner në fushë. Ndërkohë është rihapur pista Morina dhe sulmuesi me gjasa do të nënshkruajë me bardhezinjtë. Mes tyre ka pasur bisedime edhe më parë, por nuk kishte një akord, që duket se tanimë është gjetur. Morina, i cili ka luajtur me Tiranën, Skënderbeun, Flamurtarin, Kukësin dhe Kamzën së fundmi, pritet të ndihmojë sulmin e Lirisë, që aktualisht ka edhe dy lojtarë të njohur në Kosovë, si Mevlan Zeka dhe Granit Arifaj. Vjet sulmuesi kryeqytetas realizoi 10 gola me Kamzën në Kategorinë e Parë, duke e ndihmuar të ngjitet në Superiore, ndërsa tani do provojë një eksperiencë të re në Superligën e Kosovës.

KRISTI KOTE
Një tjetër futbollist që pritet t’i bashkohet Lirisë është mesfushori Kristi Kote. 19-vjeçari luan si mesfushor qendror dhe në Korçë e kanë cilësuar si pasardhësin e Shkëmbit. Që në moshë të vogël ai u afrua në ekipin e parë, por pa mundur të zërë dot vend. I riu ka provuar të testohet te Hajduku i Splitit, ndërsa tashmë i ofrohet një mundësi për të luajtur për bardhezinjtë e Prizrenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *