Formacioni i trajnerit Shpëtim Duro për sezonin e ri është krejtësisht i ri. Mbetet për t’u parë sa rezultativ do të jetë
Elton Nika
Flamurtari ka prezantuar dje blerjen e radhës, e shtata deri tani. Mesfushori-sulmues Viktor Zhufo ka nënshkruar për një vit me klubin vlonjat dhe konsiderohet një përforcim me vlera për ekipin e trajnerit Duro. Si disa përforcime të tjera të Flamurtarit, edhe ai vjen nga kampionati maqedonas, pas dy vjetësh me fanellën e Shkëndijës së Tetovës. Një lojtar i njohur për trajnerin Duro, që e ka drejtuar më parë skuadrën tetovare.
Zhufo është 24 vjeç, luan mirë me këmbën e majtë dhe ka një teknikë të lartë. Luan në qendër të mesfushës dhe në të majtë të këtij reparti. Gjatë dy sezoneve e gjysmë te Shkëndija, braziliani ka luajtur 45 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola. Megjithatë, duhet theksuar se ka qenë i pafat, sepse në periudha të ndryshme ka pësuar dëmtime të ndryshme. Me ardhjen e këtij lojtari, Flamurtari plotëson mesfushën dhe ani mund të ketë nevojë vetëm për ndonjë lojtar. Pas nënshkrimit të kontratës me ekipin e ri, Zhufo u shpreh i kënaqur për lëvizjen që ka bërë dhe shpreson shumë të lërë gjurmë te Flamurtari.
FORMACIONI – Në ekipin vlonjat lëvizjet kanë qenë të shumta, si në hyrje, ashtu edhe në dalje, madje Flamurtari duket një ekip i bërë nga e para. Trajneri Duro e ka në praktikën e tij të punës, që një ekip e ndërton nga e para, sipas projektit të tij. Janë larguar shumë lojtarë nga grupi i sezonit të kaluar, edhe shumë vlonjatë, ndërkohë që deri tani janë zyrtarizuar 7 afrime. Dhe të gjithë të ardhurit mendohen titullarë, me ndonjë përjashtim. Trajneri Duro ka shfrytëzuar njohjen e kampionatit maqedonas për të bërë përforcimet. Ka marrë 3 lojtarë nga ky kampionat dhe mendon se Flamurtari i ri do të jetë ndryshe në kampionatin e ri.
Në portë pritet të luajë Nurkoviç, pas largimit të Halilit. Në mbrojtje mendohet të luajë Siljanovski në të djathtë, një tjetër përforcim i verës, ashtu si dhe Bicaj, që zë vend në qendër, bashkë me njërin mes Jakovljeviçit dhe Veliut. Nëse Duro zgjedh serbin, Veliu spostohet në të majtë dhe në stol ulet Mersini. Edhe mesfusha ndryshon e gjitha, pas largimit të Telushit, Shkodrës e të tjerëve. Useini pritet të zërë vend para mbrojtjes, duke bërë shkatërruesin, Musta në të majtë, Zhufo në rolin e organizatorit dhe në të djathtë Ardit Hoxhaj ose mund të kemi një vend për Hysenin.
Mbetet për t’u parë si do të përfundojë çështja e brazilianit Alvesh, i cili ka deklaruar se nuk kthehet më në Vlorë, kurse klubi pohon se lojtari është i Flamurtarit. Nëse Alvesh nuk kthehet, lideri i sulmit do të jetë kroati Bushiç, i cili mund të mbështetet nga Hoxhaj, Musta dhe Zhufo, nëse nuk vjen një sulmues tjetër. Megjithatë, ka ende shumë kohë dhe me këtë ritëm vlonjatët mund të përforcohen më shumë, duke thyer “rekordin” e blerjeve.
Flamurtari i sezonit të ri
Nurkoviç, Siljanovski, Jakovljeviç, Bicaj, Veliu – Useini, Hyseni, Zhufo, Musta, Hoxhaj, Bushiç