Liçi: Në Europë shkojmë larg, presim dhe një sulmues klasi

Ndihmësi i Dajës, Gentjan Liçi, flet para ndeshjes me modestët nga Andorra. Kualifikimin në turin e parë nuk e vë në diskutim

Leonard Trebicka

Mbrëmjen e nesërme Skënderbeu luan ndeshjen e parë të turit të parë të Europa League, duke u kthyer kështu në Europë, pas një viti pushim. Stafi teknik është përqendruar te ndeshja me San Julian, ekipin nga Andorra, që është gjysmë amator. Trajneri Ilir Daja gjatë gjithë kësaj periudhe ka kërkuar vlerësim serioz të kundërshtarit, pavarësisht modestisë së tij. Të njëjtin qëndrim ka edhe ndihmësi i tij, Gentjan Liçi. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Liçi flet për gjendjen e ekipit, synimet, merkaton dhe tifozët. Ja intervista e plotë e ish-kapitenit të Skënderbeut, sot zv/trajner i bardhekuqve:

– Liçi, po afron ndeshja e turit të parë në Europa League. A është gati Skënderbeu?

– Të them të drejtën, këtë verë kemi filluar më shpejt se herët e tjera përgatitjet, pasi edhe ndeshjet europiane nisin më shpejt. Mendoj se jemi gati për ndeshjen e parë. Na pret një verë me synime të mëdha dhe kam besim se do të shkojmë larg.

– Të enjten prisni në Korçë një skuadër modeste si San Julia nga Andorra. E lehtë për ju?

– Kundërshtari ynë njihet pak në Europë, por kjo nuk do të thotë se do të jetë e lehtë. Nuk duhet të futemi në fushë me mendimin se do ta kalojmë pa problem ndeshjen. Do të bënim gabim. Ne, si staf teknik, kemi thënë vazhdimisht para lojtarëve se duhet të jemi të përqendruar në çdo moment.

– Edhe në aspektin taktik apo sa i përket grupit të lojtarëve, është gjithçka gati për Skënderbeun?

– Ka gjëra që duhen ndrequr në skuadër dhe sigurisht që një staf teknik asnjëherë nuk kënaqet. Por është ndeshja e parë dhe kemi kohë të ndryshojmë në vazhdim. Këtë e them, pasi gjatë kësaj periudhe kanë ardhur lojtarë të rinj, të cilët duhet të hyjnë në skemat që praktikon trajneri Daja. Mendoj se një pjesë e mirë e atyre që kanë ardhur janë përshtatur. Tani na mbetet që gjithçka ta pasqyrojmë në fushë.

– Si do ta vlerësonit merkaton e kësaj vere, të paktën deri tani?

– Për mua, merkatoja është për t’u vlerësuar, por, nëse ka qenë apo jo pozitive, do të duket kur të marrim rezultatet. Gjithsesi, jam i bindur se kemi afruar lojtarë, të cilët i vlejnë Skënderbeut.

– Flitet se pritet edhe një sulmues. Si është e vërteta?

– Para ndeshjes së turit të parë në Europa League na lejohet të afrojmë edhe një lojtar, ndaj mendoj se drejtuesit nuk e kanë mbyllur merkaton me kaq. Padiskutim që do të gjejmë edhe të tjerë futbollistë, që do të na duhen. Mbrojtja dhe mesfusha janë të kompletuara, kështu që na duhet një tjetër përforcim në sulm. Nëse kjo realizohet, jemi plotësisht të qetë. Ky përforcim duhet për të pasur edhe pak konkurrencë, sepse i bën mirë ekipit.

– Skënderbeu do ta mbyllë kualifikimin që në ndeshjen e parë në Korçë?

– Asnjëherë nuk mund të thuhet një gjë e tillë, por besoj se do ta kalojmë San Julian dhe do të luftojmë fort, si në Korçë, ashtu edhe në Andorrë një javë më vonë. Skënderbeu ka synime madhore, ndryshe nga kundërshtari i turit të parë.

– Po për turin e dytë, çfarë mund të thoni?

– Ne jemi përqëndruar 100% te ndeshja e parë ndaj San Julias, nuk po mendojmë aspak për turin e dytë. Kur ta kemi mbyllur çështjen e kualifikimit, do të shohim kundërshtarin e radhës.

– Rruga deri në grupet e Europa League, ndryshe nga dy sezone më parë, është shumë më e vështirë…

– E dimë që është e vështirë, por jo e pamundur. Në fakt, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë. T’i marrim turet një e nga një dhe të shpresojmë.

– Së fundi, në Korçë kthehen ndeshjet europiane pas dy sezonesh. Çfarë premtimi keni për tifozët korçarë?

– U premtojmë më të mirën. Ata janë pjesë e rëndësishme e ekipit tonë dhe sukseset i arrijmë bashkë. Edhe këtë vit do t’i kemi pranë dhe jam i bindur se mbështetja e tyre na mobilizon edhe më shumë. Për mua, janë tifozëria më e mirë në futbollin shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *