Trajneri i Kukësit është i shqetësuar, skuadra është dobësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit dhe në horizont nuk po duket asnjë përforcim
Jurgen Zela
Moment i çuditshëm për Kukësin: pasi realizoi ëndrrën e titullit kampion, nuk po di si të vazhdojë më tej, duke paguar mungesën e eksperiencës, por edhe mungesën e presidentit Safet Gjici, i cili në këtë moment është tërësisht i përqendruar te fushata elektorale. Pas festës, bëhen llogaritë dhe Kukësi e sheh “jorganin” tepër të shkurtër: disa lojtarë janë larguar sepse u ka përfunduar kontrata, Albi Alla nuk pranon të kthehet vetëm për kupat e Europës dhe përforcimet nuk po duken. Bisedime ka me shumë lojtarë, por për një arsye apo për një tjetër, klubi nuk po vendos dhe trajneri Ernest Gjoka me të drejtë sheh me shqetësim nga e ardhmja. A mund të përballohet Liga e Kampioneve me organikën aktuale? E pamundur, duke parë se edhe shorti me shumë gjasa do të jetë shumë i vështirë, ndërsa Gjici kërkon kalimin e një turi në Champions. “Sport Ekspres” ka kontaktuar pikërisht Gjokën në lidhje me momentin e Kukësit dhe trajneri kampion ka vendosur të “hapë kartat”, duke e pranuar se duhen urgjentisht përforcime, për një Kukës serioz dhe të paktën po aq të fortë sa ai që fitoi titullin.
Gjoka, përgatitjet për sezonin e ri sapo kanë nisur, por tifozët janë të shqetësuar, shohin pasivitet në merkato dhe shumë pak lojtarë në stërvitje.
Po, tifozët kanë të drejtë që janë të shqetësuar, edhe unë jam i shqetësuar, nuk e mohoj. Champions League po afron dhe të jemi të sinqertë, është një kompeticion shumë më i vështirë se Europa League. Nëse sezonet e shkuar Kukësi dhe skuadrat e tjera shqiptare në Europa League kanë pasur përballë shpesh rivalë të kalueshëm, në Champions shorti mund të jetë tepër i vështirë, pasi shumica e rivalëve janë të një niveli shumë të lartë. Për këtë arsye, duhet një Kukës i kompletuar në çdo drejtim, për të qenë dinjitozë dhe në varësi të kundërshtarit, pse jo të tentojmë kualifikimin.
Dinjitozë, por sa shanse ka skuadra aktuale, duke parë që mungojnë afrimet dhe ka shumë largime?
E vërtetë, janë larguar shumë lojtarë dhe na ka lindur edhe problemi Alla, të cilin personalisht e llogarisja pjesë të skuadrës dhe e pres ende të bashkohet me ne. Plani fillestar ishte që futbollistët e larguar të zëvendësoheshin me lojtarë më cilësorë e me eksperiencë, por deri tani nuk jemi në rrugën e duhur. Shorti nuk është hedhur ende, por në këtë moment nuk jemi favoritë ndaj askujt në Champions, kushdo qoftë kundërshtari.
Cilat janë pikat ku skuadra çalon më shumë dhe duket e pakompletuar?
Duhen urgjentisht 4 ose 5 lojtarë. Së pari, është emergjente gjetja e një qendërmbrojtësi, duke pasur parasysh problemin me vonesën e Allës. Më pas, duhen dy mesfushorë qendre, pasi në krahasim me sezonin e sapombyllur jemi varfëruar shumë në mesfushë. Duhet edhe një mesfushor ofensiv, i aftë të veprojë mes mesfushës e sulmit. Këta janë rolet më të rëndësishëm ku duhen përforcime urgjente.
Si ka vepruar klubi këtë muaj, a mund të dimë ndonjë nga emrat që është kontaktuar?
Emra nuk mund të përmend, pasi dihet që pa u mbyllur një tratativë, nuk është mirë të përmend emra, për shumë arsye. Por mund të them që kemi biseduar me lojtarë nga tregu vendas dhe ai i huaj. Një emër që tani mund ta zbuloj dhe që ishte shumë pranë Kukësit është Bruno Telushi, por ai kishte prioritet një aventurë jashtë Shqipërie, për shumë arsye, ndaj nuk mund ta pengoja për të avancuar në karrierën e vet.
Sa opsione ofron kampionati shqiptar në këtë moment dhe sa kohë kemi për të studiuar tregun e huaj?
Në fakt, tregu ynë nuk ka shumë lojtarë cilësorë në treg. Lojtarët ose janë nën kontrata, ose lirohen vetëm pas ndeshjeve evropiane, ndaj e kemi mjaft të vështirë. Edhe kërkesat financiare janë të larta dhe ky është një problem jo i vogël.
Po tregu i huaj, nuk gjenden lojtarë cilësorë, apo ka probleme të tjera?
Në zyrat tona kanë ardhur shumë CV, nga shumë vende. Këtë verë kemi vendosur të eksplorojmë në gjithë botën, si në Ballkan, ashtu edhe nga pjesa tjetër e Europës, por edhe nga Afrika e Amerika e Jugut. Lojtarë ka shumë, na janë ofruar edhe disa vërtet cilësorë, por cilësia kushton, nuk mund të bindësh futbollistë cilësorë të vijnë në Shqipëri për shuma të vogla.
Ka pasur lojtarë cilësorë nga jashtë që kanë refuzuar Kukësin?
Është thjesht çështje ekonomike, kaq. Nuk duhet të harrojmë që bëhet fjalë për Kategorinë Superiore shqiptare, sa forcë ka ky kampionat që të joshë futbollistë me CV të rëndësishme? Vetëm ana ekonomike i bind, përndryshe jemi ende në fund të listës në kampionatet europianë, të jemi të sinqertë. Ky është edhe problemi pse në Shqipëri shumica e lojtarëve të huaj nuk janë cilësorë, është e thjeshtë. Nëse një futbollist i huaj shkon në Greqi apo Kroaci me një shumë të caktuar parash, për të ardhur në Shqipëri kërkon thuajse dyfishin. Ne po punojmë dita-ditës për të bindur lojtarë cilësorë dhe shpresojmë që sa më shpejt të bëjmë disa afrime, por nuk duam lojtarë sa për numër, që pastaj të mos japin asnjë kontribut në Champions dhe të rinisim gjithçka nga zero në gusht.