Nga Italia në Luksemburg dhe nga Luksemburgu në Stamboll, për të kaluar më pas në Haifa të Izraelit… Trajektorja e Xhani de Biazit ka qenë e çuditshme në këtë muaj të qershorit, për të vetmin fakt se trajneri Italian, ndryshe nga ajo që na kishte mësuar, ka shmangur mediet shqiptare, duke mos dalë në konferencën e zakonshme për shtyp dhe duke vënë në siklet FSHF-në, pasi publikoi listën e futbollistëve të grumbulluar në faqen zyrtare. Nuk e kishte bërë këtë gjë ndonjëherë, teksa ka folur direkt në Turqi dhe më pas në Izrael.
Sipas komunikatës së federatës, italiani, sot në orën 11:30, në ambientet e federatës shqiptare të futbollit, do të dalë përpara gazetarëve për të folur rreth kualifikueseve, ecurisë së kuqezinjve, por sigurisht që do të flasë edhe në lidhje me të ardhmen e tij. Italiani ka lënë gjithçka në pikëpyetje, teksa nuk ka thënë që do të rinovojë… Praktikisht, duke i rënë shkurt, por e gjithë kjo zhurmë e krijuar duhet të sqarohet, ashtu sikurse edhe ka lënë për të kuptuar Armand Duka, presidenti i federatës, duke shtyrë De Biazin të flasë dhe të sqarojë ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij.
Por, sigurisht, të gjithë do të jenë sy e veshë se çfarë do të thotë sot trajneri Italian. Por, njëkohësisht, lind edhe një pyetje që kurrë s’do të marrë përgjigje: a do të kishte vendosur për një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në rast se do të kumbisnim apo barazonim në Haifa? Ndoshta, trajneri ka vendosur që të rinisë të na thotë se Shqipëria është rikthyer, se kritikat ishin të ekzagjeruar e kështu me radhë, ose ndoshta edhe duke marrë meritat e fitores në Izrael, por e sigurt është që këtë herë, duhet të flasë për të ardhmen. Nuk mund të fshihet më pas një “gishti”, ose më saktë, pas një deklarate “nuk mendoj rinovimin”.