Tani që është mbyllur kampionati, nisin edhe lëvizjet e futbollistëve shqiptarë, që do të shohin pistat e mundshme. Mes tyre, në Itali, Ledian Memushaj dhe sidomos Arlind Ajeti do të ndërrojnë fanellë. Memushaj do të largohet nga Peskara, që ra në kategorinë e dytë, pra në Serie B, ndërsa pritet që të firmosë për Bolonjën, pasi ishte thuajse i Empolit. Por, rënia në kategori në javën e fundit nga toskanët ka prishur gjithçka. Sakaq, Arlind Ajeti është shumë pranë firmës me Frajburgun e Amir Abrashit, që ka folur edhe me drejtuesit gjermanë. Flitet për 2 mln euro, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Edhe pse, sipas “Gazzetta dello Sport”, kalimi te Frajburgu, ku do të luajë edhe Europa League, thuajse është kryer.