Tifozët do të jenë në stadium për të përkrahur sigurisht ekipin e Tiranës dhe për ekzekutuar me protesta presidentin Refik Halili
Olsi Avdiaj
Tifozëria është gati për finalen e Kupës së Shqipërisë. “Tirona Fanatics” do të “djegë” “Elbasan Arena”-n. Për të përkrahur sigurisht ekipin e Tiranës dhe për “ekzekutuar” me protesta presidentin Refik Halili. Ky është premtimi i “Tirona Fanatics”. Me një postim tifozët kërkojnë që të gjithë të jenë gati në finalen e sotme. “Nesër(sot) jemi për Elbason! Tirona ra dhe për këtë ka përgjegjës, që ende vazhdojnë të heshtin. Nuk na interesojnë kupat e turpshme. Morali dhe vlerat nuk mund të këmbehen për asgjë. Tirona nuk është biznesi i një personi! Fillojmë grumbullimin që në orën 15:00, pas Operës dhe në 16:00 nisemi drejt Elbasonit. Ata që udhëtojnë me makina private janë të lutur të bashkohen me ne. Është e rëndësishme!”, shkruanin “Fanatics”. Duket qartë se tifozët po kurdisin diçka. Do të protestojnë shumë ashpër kundër presidencës në finalen e Kupës së Shqipërisë. Priten banderola dhe kore, drone dhe një protestë ekzemplare e tifozërisë bardheblu, e cila prej datës 1 shkurt nuk shkel në asnjë stadium ku luan Tirana.
Me një tjetër video të shpërndarë rishtazi, “Tirona Fanatics” gjatë këtyre ditëve ka sulmuar presidentin e Tiranës, Refik Halilin. Dicicitura: “Tirona nuk është biznes!”. Me këtë video ata i janë përgjigjur presidentit që deklaronte në një emision, që Tiranën e shikonte si biznes. Një sulm tjetër i “Tirona Fanatics”, që në fillim kanë reaguar në mesnatën e së shtunës për rënien e bardhebluve nga Kategoria Superiore. Me një deklaratë të gjatë ata sqaruan pozicionin e tyre dhe kërkoin e kërkojnë largimin e presidentit Refik Halili nga klubi. Sipas tyre, tifozët nuk kanë asnjë faj, por njollën vetes ia ka vënë vetë klubi. Duke rreshtuar argumente pa fund, “Fanatics” i dhanë një ultimatum presidentit bardheblu që të largohet nga klubi. Ultimatumi ka qenë 48 orësh dhe është mbyllur. “Lufta” do të jetë frontale sot në stadium, sepse nga bardheblutë pritet dyndje tifozësh.
Prej më shumë se tre muajsh, tifozëria e organizuar nuk është në stadium. Shkak është bërë sherri me presidentin Refik Halili dhe çështja që klubi toleroi për “Selman Stërmasin”, duke ia dhënë me qira Partizanit. Situata degradoi gjithsesi, dhe klubi e vetë presidenti, shumë shpesh kanë kërkuar “ura komunikimi” me tifozërinë, që nuk pranon uljen në tavolinën e bisedimeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Drejtuesit publikisht kanë thirrur disa herë tifozërinë të kthehet në stadium, por kjo e fundit nuk i ka vënë fare veshin, duke vazhduar bojkotin. Fakt është se me ikjen e tifozëve nga stadiumi nuk pati më rezultate. Po përse ndodhi përplasja? Tifozët e Tiranës, “Fanatics” dhe të tjerët, ka kohë që janë të zhgënjyer nga bardheblutë dhe presidenti Refik Halili, për shumë arsye. Në radhë të parë, tifozët bardheblu presin suksese dhe trofetë mungojnë prej vitesh, ndaj dufi i akumuluar gjen shpesh rrugëdalje me ngjarje të tilla, por kurrë nuk ishte kaluar në dhunë ndaj lojtarëve bardheblu. Në fakt, “furtuna” shpërtheu pas lajmit se Partizani do të luajë në “Selman Stërmasi”, diçka e patolerueshme për tifozët, por pamundësia për t’u konfrontuar me drejtuesit bëri që të ndodhte katrahura e 26 janarit. “Shënjestra” e kritikave ka muaj që është pikërisht presidenti Refik Halili, i cili sipas tifozëve erdhi në drejtimin e Tiranës pas protestës së tifozëve para Bashkisë, por më pas nuk ka bërë asgjë nga ato që pritej e premtonte, ndërsa i vuri kapakun, duke i hapur rrugë Partizanit, i cili luajti në “shtëpinë” bardheblu. Por tifozët nuk kishin parë gjë akoma. Tirana tani është në Kategorinë e Parë. Fajtori sipas tyre është Refik Halili.