600 mijë euro për Skënderbeun, oferta nga Austria, Kroacia e Rusia për Gavazajn

0

Skënderbeu mbetet modeli për tu ndjekur në merkato, për sa i takon përfitimeve nga shitja e futbollistëve. Çdo verë të paktën një shitje të madhe, një traditë që do të vazhdojë edhe këtë vit. Ylli i radhës që pritet të largohet nga korçarët drejt një lige të fort europiane është Enis Gavazaj.

Për mesfushorin ofensiv të Kombëtares shqiptare në zyrat e klubit janë paraqitur tre oferta konkrete. Por, nëse emri i skuadrave të interesuara ende nuk bëhet publik, mësohet gjeografia e tyre. Ekipet e interesuara janë nga Austria, një pistë e përfolur edhe më përpara për 23-vjeçarin, por edhe nga Kroacia dhe Rusia.

Nga shitja e Gavazajt, Skënderbeu synon të përfitojë rreth 600 mijë euro, ndërsa edhe në këtë rast do të zbatohet politika e klubit, për mbajtjen e së drejtës të 20 për qind të kartonit, si mënyrë për të siguruar të ardhura edhe në të ardhmen në rast të rishitjes së lojtarit. Drejtuesit e Skënderbeut janë në fazat finale të negociatave dhe me skuadrat e interesuara që e kërkojnë me ngulm futbollistin, mbyllja e marrëveshjes pritet të jetë çështje orësh.

Transferimi në një ligë të madhe europiane do t’i shërbente Enis Gavazajt për të ardhmen e karrierës, ndërsa korçarët do të finalizonin goditjen e madhe të verës në dalje, pasi më parë kanë shitur Xhejms Adeniji te azerët e Gabalas, ndërsa pritet edhe zyrtarizimi i Suad Sahitit në Superligën greke te Larisa.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.