50 mijë € dhe shumë dritëhije, Partizani duhet të vendosë

Shumë besim rreth tij në verë, po ashtu shumë mbështetje edhe në daljet mediatike të trajnerit Skënder Gega. Rubin Hebaj gjithsesi kur sezoni po shkon drejt fundit ka shënuar vetëm 4 gola, dygolësha ndaj Tiranës dhe Flamurtarit. Kjo është shifra ku është ndalur edhe te Vllaznia e Domzhale. Gjithsesi një dëmtim së fundmi e ka penalizuar shkodranin.

Hebaj u mor për të qenë sulmuesi kryesor dhe në fillim ishte titullar. Shtatë ndeshje i nisi nga minuta e parë dhe më pas trajneri Gega zgjodhi të luajë me Bardhin në majë të sulmit. Shkodrani ishte gjithmonë gati për të dhënë kontributin e tij dhe ka zbritur në fushë 14 herë si zëvendësues.

E ARDHMJA – Kanë mbetur edhe tre javë kampionat dhe është momenti që në klubin e kuq të vendosin. Janë të shumta arsyet pse palët mund të ndahen. Hebaj te Partizani është transferuar nga Domzhale me formulën e njohur huazim me të drejtë blerje.

Sezoni i tij ka qenë plot dritëhije dhe Partizani zor se do ta aktivizojë klauzolën, që kap shifrën e 50 mijë eurove. Gjithashtu edhe paga e lojtarit nuk ka qenë e vogël dhe në klubin e kuq ekziston një mendim që sulmuesi  nuk e ka justifikuar shpenzimin e tyre. Kështu e ardhmja e Hebajt duket të jetë e destinuar në Slloveni, ku pritet të kthehet me përfundimin e kampionatit. Koha për një rinisje të re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *