5 mijë bileta të shitura, klubi siguron 50 autobusë

Vazhdon të ecë me ritëm shumë të lartë shitja e biletave dhe drejtuesit e Skënderbeut po përpiqen të sigurojnë sa më shumë automjete për udhëtimin

Leonard Trebicka

Shitja e biletave të ndeshjes Skënderbeu-Dinamo Zagreb vazhdon të ecë me ritme të jashtëzakonshme, madje si asnjëherë më parë. Fillimisht biletat dolën në treg në Korçë dhe menjëherë u shitën 2 mijë bileta, por dje në mbrëmje shifra ka shkuar në 5 mijë. “Sport Ekspres” mëson zyrtarisht nga klubi korçar se janë shitur 5 mijë bileta, thuajse gjysma e tyre, ndërkohë që janë edhe tri ditë të tjera deri të enjten në mbrëmje. Nuk ka asnjë diskutim se biletat do të shiten 100% dhe stadium “Elbasan Arena” të enjten do të jetë i mbushur plot, më shumë se në një ndeshje të kombëtares. Eshtë vetë atmosfera e tillë, që i bën tifozët e Skënderbeut të mundohen me të gjitha mënyrat për të qenë në stadium në këtë ndeshje, pasi kanë besim se skuadra e zemrës do t’ia dalë të eliminojë Dinamon e Zagrebit.

BILETAT –  Dje kanë filluar të shiten biletat edhe në qytetet e Elbasanit dhe Tiranës. Në kryeqytet shitja nisi rreth orës 15:30, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Parashikohet që me këto ritme sot të jenë shitur mbi 8 mijë bileta. Ky ritëm shitjesh të kujton ndeshjet e kombëtares kuqezi, ndërkohë që edhe Skënderbeu tashmë po merr përmasat e një kombëtareje të vogël, aq më tepër që luan shanse të mëdha për t’u futur në grupet e Europa League. Moment pas momenti po monitorohet shitja e biletave, teksa klubi vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë korçarëve të “vrapojnë” për të siguruar sa më parë një biletë, sepse të enjten në mbrëmje do të jetë e pamundur për ta pasur një të tillë.

TRANSPORTI – Një lajm i mirë është mësuar dje nga klubi bardhekuq, që ka siguruar 50 autobusë për transportin e tifozëve për në Elbasan. Këta autobusë janë siguruar nga qytetet e Pogradecit, Ersekës dhe Bilishtit, por gjatë dy ditëve të ardhshme do të sigurohen edhe furgonë apo mjetet të tjera. Mësohet se të gjithë autobusët do të nisen të enjten në orën 15:30, nga stadiumi “Skënderbeu”. Tashmë kanë filluar edhe prenotimet për autobusët, pasi është e vështirë që të gjesh një vend. Mbetet për t’u parë se sa do të jetë shitja e biletave sonte në mbrëmje, por me këtë ritëm deri nesër, një natë përpara ndeshjes, të gjitha do të jenë shitur.

 

One thought on “5 mijë bileta të shitura, klubi siguron 50 autobusë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *