Kristiano Ronaldo u largua drejt Italisë dhe në një farë mënyre e la vetëm Leo Mesin. Argjentinasi vitin e kaluar nuk ka pasur një rival të denjë, që del paralel me cilësitë e tij. Megjithatë, këtë vit mund të themi se ka ardhur një konkurrent, që me pak punë mund ta rrezikojë “kurorën mbretërore” të Leos.
Eden Hazard është një nga futbollistët më të mirë të dekadës së fundit. Këtë sezon do të jetë në Madrid dhe ka të gjitha asetet në dispozicion për të konkuruar Mesin për fronin e më të mirit në Spanjë.
I këtij mendimi është edhe Samuel Eto, ish-shoku i argjentinasit në dhomat e zhveshjes. Kamerunasi shprehet se niveli i Hazard është pranë atij të Mesit dhe se belgu duhet të fitojë një ditë “Topin e Artë”.
“Hazard duhet të fitojë Topin e Artë. Ai nuk është vlerësuar mjaft, por tani është në një nga skuadrat më të mira në botë dhe të gjithë sytë do të jenë në të. Është afër nivelit të Mesit dhe shpresoj që kur ai të luajë ndaj Barcelonës, të mos jetë në maksimumin e formës së tij”, deklaroi kamerunasi.