Alsid Tafili është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë te Vllaznia dhe një nga ata që dha një kontribut të vyer që kuqeblutë të riktheheshin në Superiore. Mesfushori, në ndeshjen me Besëlidhjen regjistroi ndeshjen e 200 me fanellën e Vllaznisë.
“E kisha ëndërr që të luaja me Vllazninë kaq gjatë dhe besoj se numri 200 i ndeshjeve do të rritet ende. Këtë kuotë e arrita në Lezhë në ndeshjen me Besëlidhjen, ku edhe pse barazuam, të gjithë dhamë maksimumin. Nuk ishte e lehtë, gjithsesi të gjithë në skuadër ndjehemi të shpërblyer me vendin e parë në grup. Ka qenë një sezon plot sakrifica, ku të gjithë dhamë maksimumin”, shprehet Tafili për SportEkspres.com.
Vllaznia është pushim këtë javë sipas kalendarit dhe Tafili shton: “Kemi edhe 90 minuta për të luajtur, por ne po mendojmë për ndeshjen finale me Bylisin. Fitorja nga ana jonë do të jetë një detyrim për emrin e madh të Vllaznisë”.
Mesfushori flet edhe në lidhje me grupin aktual që ka skuadra kuqeblu dhe në të veç lojtarëve me eksperiencë, ka edhe mjaft të rinj. “Te Vllaznia ka patur edhe një rotacion mes futbollistëve me përvojë me ata të rinj, kryesisht në ndeshjet e fazës së tretë. Kjo do të do të shërbejë për sezonin tjetër”, përfundon Tafili.
AGRON KAJA