14 dhjetor 2011/ Trajneri De Biazi u prezantua në stolin kuqezi dhe dha disa premtime për mediat. Por, cilat ishin ato dhe a u mbajtën?
- “Do të mundohem të krijoj një komunikim të drejtpërdrejtë me lojtarët, në mënyrë që të prek dhe kuptoj çdo gjë me duar, sytë dhe veshët e mi”
(Ajo që bëri, bashkë me Paolo Tramexanin, ishte të udhëtonte në vende të ndryshme dhe të takonte nga pranë futbollistët, duke i prekur dhe parë, por duke mos i lënë asgjë rastësisë apo videove në youtube apo regjistrimeve e raportimeve)
2.“Do të bëjmë një riorganizim rrënjësor të punës në Kombëtaren e Shqipërisë, por kjo do të përfshijë edhe sistemin e ekipeve kombëtare më poshtë”
(puna u ristrukturua në çdo aspekt, nga kombëtarja e madhe te ajo U-21, edhe pse këtu çaloi disi pak, por jo për faj të trajnerit, që mendoi të thërriste në ekipin e parë të gjithë ata lojtarë që mund edhe të luanin me Shpresat por kishin brum, si Hysaj)
3.“Një gjë mund të garantoj sot, ditën e prezantimit tim këtu: Shqipëria, me mua trajner, do të rritet”
(askush s’mund të vërë në dyshim faktin që Shqipëria u rrit në këto 5 vjet e gjysmë me trajnerin italian. Dhe, kjo u pa në renditjen e FIFA-s, ku edhe arritëm deri në vendin e 22-të, rekord historik)
4.“Bashkë me lojtarët dhe drejtuesit e federatës do të bëjmë gjithçka për t’i arritur objektivat”
(objektivi për të shkuar në Europian u arrit, pas edicionit Botërori 2014, ku ende s’kishte formuar grupin që dëshironte dhe eksperienca nuk ishte shkrirë me talentin)
5.“Kemi një objektiv real në lojë: të ecim përpara hap pas hapi”
(Shqipëria tashmë mund të thuhet se është realitet dhe, përveç top 10 ekipeve të para, mund të fitojë kundër kujtdo, sidomos kur luan si në Izrael)