“Kur e di fundin tënd dhe nuk i shmangesh dot”! Ky është përcaktimi më i saktë për gjithë sezonin e zhvilluar nga Kastrioti. Sapo u ngjit në elitën e futbollit shqiptar, ndeshja e parë është zhvilluar kundër Partizanit. Ndreu do t’i prishte debutimin Dajës me Partizanin duke e mundur në shifrat 2-1. Një fitore e dalë rastësisht? Jo edhe aq! Vetë trajneri e shpjegoi se ishte e gjitha një skemë e menduar nga Kastrioti:
“U kam thënë lojtarëve që të japim maksimumin në këto ndeshje të para. Në këtë moment kundërshtarët nuk angazhohen me 100% e tyre. Ky është momenti që ne të sigurojmë pikët që na duhen pasi në javët e fundit kur edhe rivalët i duan pikët me çdo kusht do të bëhet shumë e vështirë”.
Duke mos hequr as pikën dhe presjen e fjalëve të thëna nga Ndreu, kjo është panorama e javëve të fundit në Superiore. Krutanët nuk e njohin dritën jeshile të fitores prej 12 ndeshjesh, duke u shndërruar në tabelë qitje për rivalët. Çdokush që dëshiron pikët i gjen me Kastriotin! Papritur skuadra e Ndreut është kthyer e lehtë për rivalët dhe kjo po i rrezikon seriozisht për rënien nga elita e futbollit shqiptar.
Nuk mund t’i shmangesh dot fatit? Në fakt, mënyra e të menduarit nga ana e Ndreut rezultoi frytdhënëse. Por relaksimi i parakohshëm dhe shampanja e hapur kur nuk kishte mbaruar asgjë ka sjellë këtë situatë kaotike. Kastrioti ndodhej në mesin e artë dhe e mendoi veten të shpëtuar nga rënia, duke shpallur triumfin e objektivit para kohe.
Me një Skënderbe që doli tërësisht nga pritshmëritë me fitoret radhazi, Kastrioti do të përballet në finalen me Bylisin ku do të vendoset për ekipin që bie nga Superiorja. Nëse krutanët nuk do të kenë fatin për të qenë sërish pjesë e Superiores, Ndreut do t’i shtohet dëshpërimi dyfish për vetë faktin sesi e dinte fare mirë sesi mund t’ia dilej. /Sport Ekspres/