Zinedin Zidan lajmëroi saktësisht 100 ditë më parë që ai dhe presidenti Perez kishin vendosur që ta ndërprisnin bashkëpunimin e tyre. Francezi lajmëroi se kishte ardhur momenti që rruga e tij me skuadrën ku fitoi 3 herë radhazi Championsi duhej të ndahej.
Sigurisht që ishte një lajm disi i papritur, por gjërat normalisht që duhet të ecnin para dhe nuk kishte shumë kohë për të menduar për atë që kishte ndodhur në të shkuarën. Tani, plot 100 ditë pas largimit të Zidanit shihen shumë qartë ndryshimet që kanë ndodhur nga epoka e francezit.
Duke nisur që nga porta, duket se tani do të jetë Kurtua ai që do të marrë çelësat e katërkëndëshit. Nga porta në sulm, Bejl ka rilindur dhe po shpërthen si një uragan gati çdo ndeshje. Uellsiani duket se e kishte vuajtur shumë mungesën e vëmendjes, e cila ishte e tëra tek Ronaldo.
Sigurisht që pjesë e revolucionit ishte portugezi, i cili po ashtu u largua nga “galaktikët” pas 9 vitesh plot sukses, ku fitoi gjithçka. Një tjetër ndryshim është ai i shpenzimeve, pasi Reali i Madridit ka shpenzuar më shumë se në 2 fitet e fundit të Zidanit në Madrid. Mëse normale, duke marrë në konsideratë se pati jo pak largime.
Po ashtu dhe politika për lojtarët me pak minuta ka ndryshuar. Francezi donte që të kishte një skuadër të bollshme, duke “djegur” disa lojtarë që nuk kishin minuta thuajse aspak, ndërsa tani po mendohet më shumë për të huazuar ndonjë lojtarë që shihet si premtues për të ardhmen.