Zyrtare/ Dinamo shfrytëzon në maksimum merkaton, sjell në Tiranë ish-lojtarin e Lazios

Dinamo vazhdon të jetë shumë aktive në këtë merkato dimërore, duke përforcuar dita ditës skuadrën me lojtarë të rinj. Ashtu siç edhe pritej, klubi dinamovit ka gjetur gjuhën e përbashkët me mbrojtësin italian, Nico Paterni. Ekipi i Dinamos njoftoi disa orë më parë mbërritjen e 24-vjeçarit në Tiranë për të diskutuar mbi këtë kalim, ndërsa vetëm pak më parë ka zyrtarizuar gjithçka në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”.

Paterni ka qenë pjesë e të rinjve të Lazios, me të cilët ka arritur edhe të fitojë kupën, kampionatin dhe superkupën në kohën kur në krye të pankinës ka qenë Inzaghi. Kryeqytetasit janë në një gjendje të vështirë këtë sezon, ku objektivi i tyre është mbijetesa. Por këto afrime pritet që të mbajnë Dinamon në Kategorinë e Parë për të luajtur më pas shanset sezonin e ardhshëm për një rikthim në elitë./Sport Ekspres/