Ze Maria: Treguam se jemi për Superiore

0

Braziliani është shprehur i kënaqur jo vetëm me rezultatin, por edhe me angazhimin e skuadrës në fushë

Olsi Avdiaj
Trajneri i Tiranës, Ze Marias, i gëzohet fitores së bukur 2-0 ndaj Vllaznisë, duke treguar se Tirana mbetet Tirana, edhe një kategori më poshtë. Braziliani është shprehur i kënaqur jo vetëm me rezultatin, por edhe me angazhimin e skuadrës në fushë, ndërsa theksoi se bardheblutë do të kërkojnë të fitojnë edhe takimin e kthimit në Shkodër. Në analizën e pasndeshjes, ai nxori të mirat dhe gabimet nga kjo sfidë dhe nëse mund të kualifikohet Tirana në turin tjetër.
-Një fitore e pastër.
Kishim përballë Vllazninë, një skuadër që luan në Superiore, por ne jemi Tirana dhe do të luajmë gjithmonë për të fituar. Treguam një shpirt të lartë gare dhe arritëm të fitojmë 2-0, që besoj se është një rezultat i favorshëm për tu kualifikuar, por edhe në Shkodër ne do të shkojmë për të fituar sërish. Kemi luajtur shumë mirë për 90 minuta. Në pjesën e dytë kishim shumë raste për gol. Portieri kundërshtar bëri pritje shumë të mira. Njërën në pjesën e parë me Grecën e një në të dytën. Djemtë dhanë maksimumin. Atë që kërkoj unë dhe janë shumë afër perfeksionit.
-Kishit frikë se mos takimi mbyllej 0-0?
Jo, nuk kisha frikë. E pata thënë edhe më parë, që ne luanim ndaj një skuadre të Kategorisë Superiore. E pamë edhe sot. Në fund do të kishim të tre rezultatet, fitore, barazim ose humbje. Fituam duke luajtur mirë dhe konfirmuam që ne luftojmë për çdo kompeticion.
-Luajtët me hope gjatë gjithë 90 minutave?
Ju mendoni se ne duhet të luajmë dhe të fitojmë me të gjithë 6-0. Nuk funksionon kështu. Një skuadër është në rregull kur luan mirë, ka raste për gol dhe bllokon kundërshtarin. Në pjesën e parë Vllaznia edhe pse luajti mirë, nuk bëri asnjë gjuajtje në portë, ndërsa portieri i tyre u shpëtoi rezultatin. Patëm disa raste për gol. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, sepse kishim tre katër raste për gol. Nuk mjafton që të godasësh portën. Duhet të luash shumë mirë dhe të mos rrezikosh asgjë.
Mund të themi se jeni të kualifikuar?
Jo, nuk bëhet fjalë. Kemi bërë një hap të madh, por akoma nuk kemi mbyllur kualifikimin. Duhet të luajmë ndeshjen tjetër pas dy javësh dhe jam i bindur se shkodranët do të jenë shumë të nevrikosur dhe më të vendosur sesa sot. Vllaznia luan mirë dhe ne duhet të përgatitemi për atë sfidë.
-Nga e shtuna nis faza e dytë e Kategorisë së Parë
Na pret një tjetër betejë, ose më saktë nëntë beteja. Njohim pak më mirë kundërshtarët. Kemi kuptuar sesi funksionon Kategoria e Parë. Do të shkojmë të luajmë, duke ditur vështirësitë, por sigurisht më të përgatitur se ndeshjet e fazës së parë. Të gjithë duan të na ndalin. Në takimin e fundit barazuam dhe bëhej festë në dhomat e zhveshjes. Këtë duhet të kuptojmë se duhet të luajmë kudo dhe ndaj kujtdo për të fituar.
-Të premten thatë se do të shohim me Vllazninë nëse jemi një ekip Superior. Është Tirana për në Superiore?
Ne gjithmonë mundohemi të japim maksimumin dhe të fitojmë ndeshjet, paçka kundërshtarit të cilës do kategorie edhe nëse kalojmë turin. Ne meritojmë që të jemi në Superiore, ashtu si Vllaznia që duhet të kishte më shumë pikë.
-Ngo?
Është një futbollist cilësor, i cili mund të na ndihmojë shumë. Prania e tij në fushë u vu re. Flas shumë me të, është një lojtar që me punë mund të kthehet në nivelet që ka qenë para pak kohësh.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image