Yjet e sezonit në Superiore, Muça zgjedh shumë… Partizan

0

Shkëlqim Muça prej vitesh nuk drejton një skuadër futbolli, por është aktiv në media si specialist futbolli. Duke qenë vazhdimisht në ndjekje të kampionatit, Sportekspres.com ka menduar t’i marrë atij formacionin më të mirë të sezonit 2018-19. Muça ndan me ne dhe me ju lexues zgjedhjet e tij, që më të shumtat janë nga Partizani kampion.

PORTIER – Muça e ka të qartë se Alban Hoxha është një lider dhe një nga pikat më të forta të Partizanit. Ndaj edhe e ka përzgjedhur në formacionin më të mirë të sezonit. Portieri i ka shifrat në krah, duke qenë ai që ka pësuar më pak se kolegët e tij. “Me formën e tij ka treguar sigurinë e një lideri në portë e në gjithë fushën e lojës për Partizanin”, është shprehur Muça.

 MBROJTJA – Shumë kryeqytet në prapavijë, teksa për krahun e djathtë Muça zgjedh Albi Dokën e Tiranës. “Mbrojtës energjik, i fortë dhe i sigurt. Punon shumë mirë në krah, si në mbrojtje, ashtu edhe në ndihmë të sulmit”, u shpreh ish-trajneri i bardhebluve. Në të majtë Trashi është i përzgjedhuri: “Një mbrojtës me karakteristika sulmuese, por dallohet për sigurinë e shpejtësinë në mbulim e organizim”.

Për qendrën ka zgjedhur kapitenin e Kukësit, Ylli Shameti. “Mbrojtës i fortë dhe i sigurt, lider te skuadra e Kukësit. Në luftën në ajër është treguar shumë i sigurt”, thotë Muça, i cili repartin e prapavijës e plotëson me Sodik Atandën. “Një lojtar shumë inteligjent në qendër të mbrojtjes, bashkëpunues me të dy krahët dhe me mesfushën”, u shpreh ish-mesfushori.

MESFUSHA – Forcë, kilometra dhe klas. Bruno Telushi merr vlerësimin e Muçës: Një nga mesfushorët më të mirë në këtë sezon. Lider në këtë repart dhe një dispeçer klasi në lojë”. Nga Partizani ai ka përzgjedhur edhe Esat Malën: “Lojtar me karakteristika shumë të mira organizuese, por edhe një sulmues i mirë. Ka lëvizshmëri në lojë”. Lojtari tjetër garanton fantazinë: “Kallaku është mesfushor teknikisht me nivel shumë të lartë, por edhe golashënues i aftë. E favorizon mosha e re”.

SULMI – Rexhinaldo është goleadori i përzgjedhur nga Muça, i cili deklaron:  “Jo vetëm se doli golashënuesi më i mirë i Superiores, por mendoj se ishte sulmuesi më i rrezikshëm i kampionatit”. Nuk mund të mbetet jashtë Jasir Asani: “Lojtar energjik dhe teknik në fushë, luan mirë në çdo krah dhe koordinohet mirë në veprimet sulmuese”. Treshja plotësohet nga Jurgen Bardhi. “Është një nga talentet e shkollës së Partizanit, një sulmues që me talentin e tij do japë më shumë në të ardhmen”, u shoreh Muça.

TRAJNERI – Ishin disa trajnerët që bënë mirë këtë sezon, por Muça zgjedh si më të mirin atë që doli kampion, Skënder Gegën. “Gega e menaxhoi dhe e drejtoi shumë mirë skuadrën gjatë gjithë sezonit. Bindi me performacën e tij”, përfundon Muça vlerësimin e tij për ekipin më të mirë të Superiores, dhënë për SportEkspres.com.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.