VIDEO | Hebaj “merr për dore” Shqipërinë U21, triumf me përmbysje

0

Shqipëria ka fituar edhe miqësoren e dytë kundër Maltës. Këtë herë kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-2 (ndeshja e parë në “Selman Stërmasi” u mbyll 2-0) dhe protagonist ishte Shefiti me golin e parë dhe Hebaj me dy rrjetat e tundura më pas.

Malta bëri një ndeshje të mirë dhe 45 minutat e para u mbyllën në barazim 1-1. Shefit Shefiti ishte ai që kaloi në avantazh kuqezinjtë dhe diçka të tillë e bëri përmes një goli mjaft të bukur të realizuar që në minutën e 11-të.

Skuadra drejtuar nga Alban Bushi u mundua të shënonte edhe golin e dytë, por nga ana tjetër Malta nuk u dorëzua dhe në dy momente rrezikoi portën e Dajsinanit. Ky i fundit u mposht në minutën e 37-të, kur Brinket u shërbye si duhet pas shpinës së mbrojtjes dhe i vetëm me portierin kavajas arriti të realizojë golin e barazimit.

Në fundin e pjesës së parë pati probleme për Arbnor Muçollin. Mesfushori i Vejle BK u dëmtua dhe në vend të tij u aktivizua Arbër Basha. Dy minutat shtesë nuk dhuruan asgjë të re dhe me rezultatin 1-1 në fuqi skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes.

Bushi bëri një tjetër lëvizje, duke larguar Malën për Selahin. Kuqezinjtë i afrohen shumë shpejt golit me anë të Hebajt, por shkodrani gjen traversën nga goditja e dënimit. Maltezët kanë befasuar përmes Brinket, i cili pas një rrëmuje në zonë shënoi golin e avantazhin për skuadrën e tij.

Rreth dhjetë minuta më pas Shqipëria barazoi. Një penallti e dyshimtë, e akorduar nga gjyqtari Hamitaj, u kthye në gol nga Rubin Hebaj. Barazim 2-2 dhe djemtë kuqezi nuk dorëzohen dhe pak minuta nga fundi shkodrani realizoi edhe golin e tretë dhe të fitores.

Protesta nga miqtë për pozicion jashtë loje, por për anësorin gjithçka ishte e rregullt. Deri në fund nuk pati më ndryshim rezultati dhe Shqipëria U21 fitoi me rezultatin 3-2.

MIQËSORE – E HËNË, MË 19 NËNTOR, ORA 19:00

SHQIPËRI-MALTË 3-2
Shënues:
Shefiti 11’, Hebaj 76’ (pen.), 87’ / Brinket 37’, 66’

Shqipëri: Dajsinani, Kryeziu, Mersinaj, Tafa, Maloku, Muçolli (Basha 45’), Mala (Selahi 46’ – Ndraxhi 81’), Imeri (Fazliu 59’), Shefiti, Zeka, Hebaj. Trajner: Alban Bushi

Malta: Vela, Borg, Guilomjer, Sansone, Frixheri, Zamit, Pulis, Birman, Shou, Brinket, Zerafa. Trajner: Silvio Vela

Gjyqtarë: Eldorian Hamiti, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Edvin Hoxha

Karton i verdhë: Mersinaj 63’ / Birman 53’, Sansone 82’

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.