Tirana rikthehet tek trofetë e munguara

0

Bardheblutë e Roland Avramit, pas gjashtë vjetësh, marrin Kupën e Shqipërisë, e cila duket se ka qenë e destinuar për ta si ekip

Gjergj Vyshka

Tirana – Goga Basket 73-57

Tirana: Zykaj, Xhanaj (18), E.Bujari (17), Milovanoviç (25), Popoviç (11)/Bojd (2), Berranija Trajner: R.Avrami

Goga Basket: Lalaj (6), Mehmeti (4), Frison (8), Papa (3), Mekroi (34)/Dishnica (2) Trajner: M.Driza

Gjyqtarë: G.Cici, G.Hoxha (Tiranë)

Tirana është rikthyer tek trofetë e munguar, ndërsa pas gjashtë vjetësh është bërë fituese e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, që është e 24-ta për ta. Në fakt ka qenë një Kupë Shqipërie e destinuar për bardheblutë, jo vetëm për shkak të merkatos së bërë në dimër, ndërsa numërohen plot 5 afrime, por dhe për shkak të dobësisë së kundërshtarëve. E jo vetëm kaq, por dhe mënyra e zgjedhur nga Federata Shqiptare e Basketbollit me një short të pilotuar, ndërsa më parë ishte lajmëruar për short të lirë, duket se e çonte më pranë trofeun tek Tirana. Jo se Tirana nuk e meritoi, përkundrazi sot është kandidate potenciale për Superkupën e Shqipërisë dhe për titullin kampion, por se dhe kundërshtarët, të ardhur të përgjysmuar në këtë aktivitet, kishin ardhur të dorëzuar. Kështu ishte dhe Goga Basket me vetëm shtate lojtare, ndërsa për të plotësuar stolin, në mënyrë ironike, janë rreshtuar vajza të vogla të ardhura nga Akademia si Dea dhe Luna Gjyzeli, apo dhe Iren Mullaj. Në fakt janë përdorur gjashtë basketbolliste, kurse Gjoshi, për pamundësi shëndetësore, nuk mund të aktivizohet si gjithë të tjerat. Por edhe kështu, Goga Basket ia ka bërë të vështirë Tiranës, ndërsa Mekroi, që ka shënuar 34 pikë nga 57 në total, ishte në gjendje të bënte gjithçka për të përmbysur, por nuk gjeti gjuhën e përbashkët me të tjerat. Dhe ka luajtur e dëmtuar, ndërsa në periodën e dytë, për shkak të një përplasjeve, ka qenë e detyruar të kalojë rrethimin e fushës për të shkuar në tualetin më të afërt. Ndihma e mjekes Sidita Hoxholli dhe fizioterapistit të Gogës e ktheu këtë lojtare në fushë. Madje është dëmtuar dhe Lalaj, që përsëri ka pasur asistencën e Hoxhollit, e cila rëndoi situatën tek durrsaket, të cilat sa vinin dhe ngarkoheshin në personale. Megjithatë ajo që duhet nënvizuar është fakti se të paktën finalja ishte e luftuar dhe jo në nivelin e gjysmëfinaleve. Tirana për fat pati në formë Milovanoviçin, që ka shënuar 25 nga 73 pikë të bardhebluve, sikurse dhe Eliverta Bujarin, Enxhi Xhanajn dhe Nikolina Popoviç. Bojd hyri në fushë dhe detyroi Frison të ngarkohej me gabime personale, ndonëse në disa momente vendimet e gjyqtarit Gilbert Hoxha janë kundërshtuar nga durrsaket. E për të kompensuar vjen dhe ndëshkimi me gabim teknik të amerikanes së Tiranës nga ndërkombëtari tjetër Gentian Cici, që në fakt erdhi nga avioni në fushë (të martën ishte në Ligën e Kampioneve, SIG Strasburg – Rosa Radom dhe dje në finalen e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra), sikur mungojnë arbitra e koshit në vend. Padiskutim është më i miri, por nuk mund të shtrydhet në këtë mënyrë. Përtej këtyre gjëra, Tirana – Goga Basket ishte një finale e këndshme e basketbollit të femrave, ndërsa bardheblutë e merituan plotësisht suksesin

Ndeshja

Tirana e ka filluar shpejt ndeshjen dhe arrin të fitojë periodën e parë 28-19. Në të dytën ka një tjetër Gogë, si nuk ia merrte mendja askujt. Mekroi është në të gjithë fushën, me një dorë perfekte, jo vetëm nga distanca për dy dhe tre pikë, por dhe në vijën e gjuajtjeve të lira, tenton përmbysjen. I vinë në të njëjtin nivel dhe Papa, Mehmeti, apo dhe Lalaj, kurse Frison shumë pak ka bërë mirë poshtë koshit, sepse është mbuluar fort. Goga Basket barazon në dy momente 30-30 dhe 36-36, madje është dhe në avantazh 40-38. Por Milovanoviç kundërpërgjigjet në krahun tjetër dhe në pushim Tirana është në avantazh me dy pikë diferencë, 42-40. E treta rrit diferencën e pikëve, ndërsa bardheblutë fitojnë 19-9 dhe thellojnë në 61-39. E fundit 12-8 për Tiranën dhe në total 73-57. Kupën kapitenes së Tiranës, Eliverta Bujarit, ia ka dorëzuar anëtarja e Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Basketbollit, ish-lojtarja dhe trajnerja e Tiranës, Edera Alibegaj, që është njëkohësisht drejtoreshë e sporteve në Bashkinë e kryeqytetit. Ajo ka pasur përkrah sekretarin e përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, si dhe anëtarin tjetër të Komitetit Drejtues, Ilir Taflaj. Tashmë radha është për meshkujt, të cilët të premten dhe të shtunën do të luajnë gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës së Shqipërisë për t’ia lënë radhën më pas përgatitjeve të kombëtareve.

Trajneri i Tiranës

Avrami: E merituam!

Roland Avrami, trajneri i Tiranës në basketboll për femra, është i fundit që i ka dhënë titullin kampion kësaj skuadre. “Ka ndodhur më 1999 – thotë Avrami për mikrofonin e RTSH Sport – dhe tani për mua është sukses që jemi kthyer tek trofeu. Kemi vetëm dy javë që jemi plotësuar me lojtare dhe them se jemi në një gjendje të mirë. Jemi munduar të ndërtojmë një skuadër model përsa i përket cilësisë dhe bashkërendimit të veprimeve. Përforcimet e ardhura gjatë këtij viti e kanë modernizuar skuadrën dhe jemi duke u përpjekur për të forcuar konsolidimin e lojtareve. Këtë e treguam edhe gjatë ndeshjes finales, kur, edhe pse pati disa luhatje gjatë pjesë së parë, ne arritëm ta menaxhonim më mirë situatën. Një falënderim shkon për të gjitha lojtaret pa përjashtim. Tashmë na duhet të përgatitemi më mirë dhe të shpresojmë që edhe trofetë e tjerë do të jenë të Tiranës”.  

Kapitenia Bujari: Të lumtur për këtë trofe të munguar

Jam vërtet e lumtur që Tirana rikthehet te ky trofe pas 5 vitesh. Jemi përpjekur që ta meritojmë me lojë dhe vullnet. Kemi bërë gjithçka në fushë duke mos e diskutuar në asnjë moment fitoren, pavarësisht disa luhatjeve. Ndoshta ndikoi dhe fakti që kemi luajtur dhe të martën. Por trofeu dhe suksesi është i të gjithëve. Një falënderim për të gjitha vajzat që kontribuan në këtë sukses e në mënyrë të veçantë për trajnerin tonë Roland Avrami, i cili ka gjetur gjuhën e bashkëpunimit e të koordinimit të veprimeve me të gjitha lojtaret”, ka thënë kapitenia e Tiranës në basketboll për femra, Eliverta Bujari.

Libri i Artë i Kupave të Shqipërisë basketboll femra

1956 Puna e Tiranës

1957 Tirana A

1960 17 Nëntori

1961 17 Nëntori

1962 Vllaznia

1963 17 Nëntori

1965 17 Nëntori

1966 17 Nëntori

1967 17 Nëntori

1968 17 Nëntori

1969 17 Nëntori

1970 17 Nëntori

1971 17 Nëntori

1972 Apolonia

1973 Labinoti

1974 Apolonia

1975 Teuta

1976 17 Nëntori

1977 17 Nëntori

1978 Flamurtari

1979 17 Nëntori

1980 Skënderbeu

1981 Skënderbeu

1982 Skënderbeu

1983 Flamurtari

1984 17 Nëntori

1985 Flamurtari

1986 17 Nëntori

1987 Flamurtari

1988 Vllaznia

1989 17 Nëntori

1990 Flamurtari

1991 Skënderbeu

1992 Elbasani

1993 Tirana

1994 Flamurtari

1995 Tirana

1996 Flamurtari

1997 Tirana

1998 Skënderbeu

1999 Skënderbeu

2000 Flamurtari

2001 Luftëtari

2002 Luftëtari

2003 Flamurtari

2004 Flamurtari

2005 Tirana

2006 Flamurtari

2007 Flamurtari

2008 Flamurtari

2009 Flamurtari

2010 Flamurtari

2011 Flamurtari

2012 Apolonia

2013 Tirana

2014 Flamurtari

2015 Flamurtari

2016 Flamurtari

2017 Flamurtari

2018 TIRANA

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here