Tirana nuk e pa, tani Beçka po shpëton Burrelin

0

Johan Beçka vetëm 20 vjeç po spikat te matjanët duke sfiduar edhe sulmuesit më të mirë të së Parës. Tre golat e tij i kanë dhënë fitoren dhe 9 pikë deri më tani skuadrës matjane: Shpëtojmë Burrelin, pastaj e ardhmja…

Erjon Saliu

Kemi parë rrallë, madje shumë rrallë që në Shqipëri një mbrojtës të bëjë sulmuesin dhe aq më tepër që golat e tij të vendosin suksesin e skuadrës. Po ndodh këtë sezon, te Burreli. Korçari shtatlartë Johan Beçka, vetëm 20 vjeç, ka qenë pjesë e skuadrës së Skënderbeut, madje ka luajtur edhe në Greqi, por edhe me Tiranën në pjesën e parë të këtij sezoni. Por nga janari ai ka rilindur, titullar dhe 3 gola me shumë “peshë” në Burrel (9 pikë), aty ku matjanët janë duke luftuar çdo javë për të siguruar mbijetesën. Ja çfarë thotë mbrojtësi shtatlartë që është edhe një nga lojtarët e momentit në Kategorinë e Parë, në një prononcim dhënë enkas për “Sport Ekspres”. “Kurrë nuk e kisha menduar një gjë të tillë. Kam menduar që kur u bëra pjesë e Burrelit të kap më të mirën për këtë skuadër, duke ditur që çdo ndeshje do të ishte finale, por nuk më ka shkuar kurrë në mendja se do të shënoja tre gola dhe ata do të kishin shumë vlerë. Janë golat e parë në ndeshje dhe që në fund skuadra ka fituar. Madje, me Besëlidhjen dhe Burrelin kanë mbetur në fuqi dhe në fund kemi marrë 3 pikët. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm. Kam qenë pjesë e Tiranës në pjesën e parë të këtij sezoni, por i quaj muaj të “djegur”, duhej që të kisha firmosur diku tjetër, pasi për moshën që kam duhet të luaja sa më shumë…Por asnjëherë nuk është vonë, me punë gjithçka është e mundur”, – tha fillimisht mbrojtësi shtatlartë që tregon edhe synimet që ka ai dhe skuadra…

TERRENET – “Kampionati është i egër, madje terrenet janë shumë të vështira. Ne stërvitemi në Pezë dhe mendoj se në ndeshjen me Vllazninë B ndikoi edhe përshtatja jonë me fushën, pasi punojmë shumë taktikisht. Nuk ndodh kështu në disa fusha dhe terrene të rënduara, kur llogaritë tona nuk dalin, e kjo për faj të terreneve dhe ne detyrohemi që të luajmë me topa të gjatë…”.

KALENDARI – “Imagjinoni ku ishte Burreli, por me ndryshimet që ndodhën në janar shumë gjëra janë bërë me “këmbë në tokë” dhe ja rezultatet nuk mungojnë, madje edhe në ndeshjet që ne kemi zhvilluar në transfertë. Fitorja me Vllazninë B ishte ajo që na jep “krahë” dhe na bën që ne tashmë të nisim një kampionat të barabartë. Mendoj se skuadra jonë javë pas jave do e ketë finale dhe do të marrë pikët e plota edhe pse situata janë të vështira”.

ALEANCAT – Faza e tretë në Kategorinë e Parë, nuk ka interes për disa skuadra që kanë realizuar objektivat dhe që bëjnë nder, por që mund të prishin edhe punë. Kur e pyesim Beçkën për këto situata aspak të hijshme, ai thotë: “Gjëra që ndodhin, nuk është mirë që këto fenomene t’i ndeshim. Ne do të bëjmë punën tonë. Do të stërvitemi shumë sepse jemi një skuadër e ndërtuara nga e para. Kemi shumë lojtarë me eksperiencë dhe unë besoj se në finalet e mbetura, Burreli do të jetë nga ato skuadra që do të grumbullojë pikët maksimale dhe nuk do e diskutojmë mbijetesën”.

OBJEKTIVAT – Në fund, 20-vjeçari Johan Beçka ka folur edhe për synimet që ka ai: “Fillimisht duhet që të shpëtojmë Burrelin, ky është objektivi kryesor për të gjithë ne lojtarët. Nuk na mungon asgjë, ndaj në çdo ndeshje duhet që të japim më të mirën. Pastaj, të mbaj këtë ritëm sepse në aspektin personal ndihem shumë mirë. Pastaj, për të ardhmen në verë do të flas më konkretisht”, – tha duke mbyllur prononcimin e tij, Joan Beçka, mbrojtësi i Burrelit.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.