Starova bën analizën: Superiorja e fortë ka kohë, për t’u diskutuar niveli i disa ekipeve

Pas shkarkimit nga Laçi, Starova është kthyer në rolin e opinionistit. I ftuar në studion e “Pressing” që transmetohet në “ABC News”, është folur për formën e deri tanishme të ekipeve në Superiore.

Kështu trajneri shqiptar ngre shqetësimin se disa ekipe nuk kanë arritur kulmin e tyre dhe për këtë ka vend për diskutime, pasi sipas Starovës, ky duhet të jetë momenti kulminant për to. Një vlerësim ka edhe për ekipin e Partizanit, që po hedh aktualisht kreun e kampionatit në elitën e futbollit shqiptar.

“Ka kohë që konkurrenca në Superiore është e fortë, që nga koha kur është bërë me 10 skuadra. Ka qenë disi e veçantë, pasi për disa javë me radhë, kanë qenë Bylisi dhe Vllaznia në krye. Kjo është periudha më e mirë për skuadrat, duhet ta kenë kulmin e formës. Fakti që nuk janë të gjitha në formë, është për t’u diskutuar, pasi ky është momenti kur skuadrat duhet të jenë në kulm.

Partizani udhëheq me meritë, është një skuadër që ka trashëguar edhe nga vitet e shkuara. Ekip në ekuilibër, mbrohet me gjithë skuadrën. Ka kundërsulmin e shpejtë. Konkurrenca ka bërë që disa lojtarë, si Çinari, i cili u nis jo si titullar, po është shndërruar në lojtarin e momentit. Partizani nuk e ka ende formën më të mirë, por ka bazament. Nëse kalon dhe Flamurtarin, morali do të rritet shumë”, ka thënë Starova. /Sport Ekspres/