Spanja lumturon Luis Enriken, Angli e vogël me të mëdhenjtë

Dy muaj pas Kupës së Botës, Anglia është kthyer të luajë një ndeshje futbolli dhe e bëri në një Wembley të tejmbushur, ku të gjithë kënduan himnin para fillimit të ndeshjes kundër Spanjës, në Nations League. Botërori krijoi entuziazëm në Angli, por realisht përballjet e mëdha janë një tabu: në 6 ndeshjet e fundit Tre Luanët kanë humbur ndaj Belgjikës dy herë, Kroacisë dhe Spanjës, ndërsa kanë mundur vetëm Suedinë brenda 90 minutave.

Rashford shënoi që në minutën e 11-të, por Saul e Rodrigo përmbysën gjithçka që në pjesën e parë, në një sfidë ku Spanja shkëlqeu në pjesën më të madhe të 90 minutave, duke i dhënë startin perfekt trajnerit Luis Enrike.

Anglia nuk humbiste në Wembley prej vitit 2008 dhe nuk humbiste tre ndeshje rresht prej Euro 1988, ndaj sinjalet janë shqetësuese, edhe pse të gjithë lavdërojnë një Angli të re dhe që luan me dëshirë. Fundi i takimit ishte emblematik, sepse Anglia dominoi dhe krijoi raste të shkëlqyera, por nuk dinte të shënonte.

Dëmtimi i Luk Sho ishte një tjetër goditje e rëndë në mbrëmjen e hidhur të Anglisë, sepse mbrojtësi përfundoi me maskë me oksigjen dhe disa orë pas ndeshjes u normalizua gjithçka.

Ndërkaq, në shtesën e gjatë për shkak të dëmtimit të Sho Anglia shënoi, por arbitri pa një faull nga Uellbek ndaj De Geas, vendim që ngjalli debate të mëdha dhe protesta të zjarrta nga anglezët, që as fatin nuk e kanë më vete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *