Skenari më i keq? Adriano Galiani e sheh në të njëjtën mënyrë si trajneri i Vllaznisë, vetëm një zgjidhje

Futbolli është ndalur për një afat të pacaktuar, pasi ende nuk dihet se në cilën kohë do të qetësohet situata prej pandemisë Covid-19. Ndërkohë federatat dhe klubet po mendojnë dhe po shqyrtojnë skenarët e mundshëm se si mund të rinisin sërish kampionatin. E nëse kjo nuk është e mundur atëherë do të duhet të gjejnë një zgjidhje se çfarë do të ndodhë në lidhje me titullin kampion dhe me ekipet që duhet të bien nga kategoria.

Për këtë ka folur edhe ish-drejtori sportiv i Milanit, ndërsa tashëm mban këtë rol te Monza, Adriano Galiani. Ky i fundit sheh si një alternativë pikërish propozimin e Jonuz për Superioren. Trajneri i Vllaznisë u shpreh se për sezonin e ardhshëm të luhej me 14 skuadra, ndërsa më pas të binin nga kategoria po 4 ekipe për të vijuar sërish me formatin me 10 skuadra. Një zgjidhje të tillë sheh edhe Galiani për Serie A, teksa shprehet se sezoni i ri ta gjejë elitën italiane me 22 ekipe.

“Çfarë duhet të bëni nëse nuk përsëritet kampionati? Nuk do të kisha dyshime, por kompetenca qëndron te Këshilli Federal. Unë do t’i dërgoja 4 kryesorët në Ligën e Kampionëve, ndërsa besoj se është e pamundur të bëhen rënie nga kategoria. Kështu që do të gjendet një zgjidhje që të ketë më pak mosmarrëveshje ligjore. Shoh vitin e ardhshëm një Serie A me 22 ekipe dhe një Serie B me 21-22 të tilla”, ka thënë Adriano Galiani./Sport Ekspres/