“Shqiptarët i dallon uria e tyre”, zyrtari i njohur në Kroaci zbulon për Ismajlin: Hesht dhe punon, ja ekipet e Serisë A që e donin

Nga Klaudio Ndreca

Një nga zyrtarët e lartë dhe personat e njohur në botën e futbollit në Kroaci është edhe Sasa Bjelanovic. Më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit sportiv te Hajduku deri në vitin 2019, pikërisht atje ku gjendet edhe Ardian Ismajli.

Në ditët e fundit ka dalë edhe lajmi se Verona po kërkon transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë. Pikërisht për këtë arsye, “Calciohellas” e ka intervistuar Bjelanovic për t’u njohur më tepër me lojtarin në fjalë. Teksa zbulohen karakteristikat e Ismajlit, tregohen njëkohësisht edhe disa nga klubet që kanë qenë të interesuara për të më herët.

“Është një lojtar i gatshëm për të bërë hapin cilësor. Është rikthyer nga një eksperiencë e gjatë me Hajdukun dhe është i mësuar me presione të caktuara. Luan me Kombëtaren e Shqipërisë dhe është përmirësuar shumë në vitin e fundit. I bën punë më së miri atyre ekipeve që luajnë me tre në mbrojtje dhe për mua shprehet më mirë si i djathtë në mbrojtje. Ngjan shumë me Rrahmanin, por me ndryshimin se njëri luan për Shqipërinë dhe tjetri për Kosovën.

Duken në rrugën e mbarë që të dy. Të rinjtë shqiptarë kanë të gjithë uri që i dallon. Ismajli ka vuajtur shumë më parë nga një zgjedhje e trajnerit, por vetëm duke punuar, hesht dhe punon. Disa ekipe të Serisë A janë interesuar për të. E di që Verona e ndjek, megjithëse nuk kam informacione se ku gjenden me fazën e bisedimeve. Në të kaluarën ishte Atalanta, Bologna dhe Lece që e kishin ndjekur. E vetmja pengesë është pasaporta pasi nuk është pjesë e komunitetit europian dhe një çmim që vjen për t’u dyfishuar”, tha Bjelanovic. /Sport Ekspres/