Shkëndija, në Uells për formalitetin Nju Seints

Me një këmbë në turin e dytë kualifikues të Champions, edhe pse janë ende 90 minuta për tu luajtur. Shkëndija u spostua në Uells, për ndeshjen e kthimit me Nju Seints.

Mungesa e vetme e tetovarëve mbetet vetëm Besmir Bojku, i cili është dëmtuar gjatë fazës përgatitore në Slloveni. E gjitha pjesa tjetër e grupit është në dispozicion të trajnerit Qatim Osmani, që duhet të zgjedhë edhe formacionin që do të hedhë në fushën e lojës.

Përballja me Nju Seints është një formalitet për kuqezinjtë, pas suksesit 5-0 të ndeshjes së parë të luajtur në Shkup. Megjithatë, asnjë nënvlerësim. Ëndrra është shumë e madhe për tu shpërqendruar.

Besimi se ky mund të jetë sezoni i duhur për të luajtur në fazën e grupeve të kupave të Europës mbetet mjaft i madh. Objektivi është historik dhe Shkëndija është gati. Ndeshja e kthimit me Nju Seints do të luhet të martën në orën 19:00 me orën shqiptare në Oustri të Uellsit.

Me kalimin në turin e dytë të Champions, Shkëndija do të gjente përballë fituesen e çiftit ndërmjet gjeorgjanëve të Torpedo Kutaisit dhe moldavëve të Sherif Tiraspol.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *