Senatorët nuk duken, Skënderbeu plotësohet me të rinjtë

Në pritje që disa prej senatorëve të skuadrës së kaluar të vendosin të ardhmen, problemi aktual te Skënderbeu është plotësimi i grupit të lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Orges Shehi.

E vetmja risi në stërvitjen e paradites së kësaj të marte në Korçë ishte bashkimi i Oto Xhon me pjesën tjetër të grupit. Sulmuesi i kthyer pas huazimit për dy sezone te Trepça ’89 dhe i prezantuar zyrtarisht nga klubi u vendos nën urdhërat e stafit teknik.

Në pritje të mësohet nëse Radas do të kthehet apo jo në Korçë, ashtu si Osmani, Muzaka e Mici, për të plotësuar numrin e lojtarëve, “Korça Sot” raporton se trajneri Shehi thirri në ekipin e parë disa futbollistë nga të rinjtë.

Ata janë Ronaldo Isufi, Lion Ndoci, Anesti Tako. Në situatën e krijuar, klubi ka vendosur të përshpejtojë manovrat në merkato dhe prej të mërkurës pritet që në Korçë të paraqiten lojtarë të huaj të kontaktuar nga drejtuesit në merkato, për të konsoliduar ekipin për sezonin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *