Rrumbullaku: Goli për babanë, më i rëndësishëm suksesi i skuadrës

Një perlë e vërtetë, kështu mund ta cilësojmë golin e Simon Rrumbullakut, që shpëtoi Kukësin nga humbja në Kamzë. Mbrojtësi u afrua në merkaton e janarit vjet dhe ka treguar një formë të mirë. Kishte shërbyer shumë topa për gol, por i kishte munguar realizimi i tij. Me Kamzën u sigurua që të shënonte një nga golat më të bukur të kampionatit, por fatkeqësisht që nuk i dha fitoren skuadrës. Për “Sport Ekspres” mbrojtësi i Kukësit shprehet i lumtur për golin, por vë mbi të gjitha suksesin e skuadrës.

Barazimi i tretë radhazi, këtë herë me Kamzën…
Ishte një ndeshje e vështirë, më vjen keq që nuk arritëm të fitonim. E prisnim që të ishte një ndeshje e fortë dhe ashtu rezultoi. Kaluam në avantazh dhe më pas u ndëshkuam nga dy gola që mund t’i kishim evituar. Kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe synonim vetëm fitoren me Kamzën.

Realizuat golin që shpëtoi skuadrën nga humbja, që ishte njëkohësisht goli i parë me Kukësin. Si ishte ky realizim për ju?
Jam shumë i lumtur që arrita të shënoj, por do të isha akoma dhe më i lumtur nëse skuadra do të arrinte të fitonte. Për ne është shumë e rëndësishme që të arrijmë suksesin si skuadër. Nuk ka shumë rëndësi se kush shënon. Ne synojmë që të dalim kampion dhe nëse duam që të arrijmë objektivin duhet që të punojmë së bashku.

Një goditje e befasishme, e menduat apo ishte diçka që erdhi në mënyrë instiktive?
Ishim në disavantazh dhe po provonim në çdo mënyrë që të shënonim. Edhe pse ishte një distancë jo e vogël, mendova që të godas për ta zënë në befasi portierin dhe ia dola. Ishte një moment që ashtu e mendova dhe ashtu veprova. Fatmirësisht ia dola që të shënoja. Unë punoj shumë me goditjet e lira. I isha afruar golit dhe me Lushjen, por e gjeta sot.
Kalendari sa vjen e vështirësohet, mendoni se mund ta arrini vendin e parë deri në fund?
Kukësin e kënaq vetëm fitorja dhe në çdo fushë do të kërkojmë të rikthehemi te fitorja. Besoj shumë se ky grup i ka cilësitë për të përsëritur suksesin e edicionit të shkuar. Objektivi ynë mbetet titulli kampion, por ne nuk mendojmë më larg se ndeshja e radhës. Tani do të fokusohemi te ndeshja me Partizanin. Nuk na lejohet më asnjë hap fals dhe aq më tepër në shtëpinë tonë. Në Kamzë kishim mbështetjen e tifozëve dhe do doja shumë që si në ndeshjen e djeshme të jenë dhe në ndeshjet në Kukës.

Keni një dedikim për golin?
Golin ia dedikoj familjes time, që më mbështet gjithnjë dhe më qëndron pranë, veçanërisht babait. Është ai që më ndihmon me këshillat e tij dhe më motivon gjithmonë.
Festën e golit e ndave me të gjithë, tifozët, shokët e skuadrës, trajnerin dhe presidentin…
E thashë, futbolli është një lojë kolektive dhe këtu jemi të gjithë bashkë për një qëllim, të fitojmë çdo ndeshje dhe t’i dhurojmë gëzim si tifozëve tanë, ashtu dhe presidentit që ka qenë shumë korrekt”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *