Rrëfimi i Valon Ahmedit: Izraeli, Kombëtarja dhe refuzimi i Superiores

0

Nga Sllovenia në Izrael, ky është hapi i radhës i mesfushorit të Kombëtares Shqiptare Valon Ahmedi.  Mesfushori i lindur në Ohër la skuadrën e Mariborit për t’u transferuar tek ekipi izraelit i Hapoel Kiryat Shmona. Një hapa para mund të quhet për 23-vjeçarin, i cili me Mariborin mund të thuhet se ka bërë mirë, kjo për faktin se ka mundur që të luajë dhe në grupet e Champions League-s.

Pas zyrtarizmit tek skuadra e re, “SportEkspres.com” kontaktoi Ahmedin, i cili u tregu i gatshëm që të zbulonte disa detaje më shumë për kalimin e tij. Fillimisht, lojtari kuqezi tregon se pse zgjodhi të ndryshonte ambient dhe mungesa e minutave duket se ka qenë ajo çka e ka çuar të mendojë për një aventurë diku tjetër: “Vendosa të largohesha, pasi kohët e fundit nuk kisha hapësira tek klubi dhe dëshira ishte e madhe për të luajtur”.

Mesfushori rezervon vetëm fjalë të mira për ish-skuadrën e tij Mariborin, por nuk harron as drejtuesit e skuadrës së re për besimin e  treguar karshi tij: “Me klubin e Mariborit jam ndarë me shtrëngim duarsh dhe i falënderoj për mundësinë që më dhanë këto tre vite. Tani do të luajë në Izrael dhe jam shumë i lumtur për këtë kalim tek skuadra e Hapoel Kiryat Shomon. I falënderoj drejtuesit për mundësinë që më dhanë. Mendoj se kampionati këtu është shumë i fortë dhe për mua është një hap shumë i rëndësishëm në karrierë”.

Ahmedi ka nënshkruar për tre vite në Izrael dhe duket se e sheh si një mundësi të mirë për t’u rikthyer dhe në Kombëtare. Normalisht thelbësore për të do të jetë aktivizimi dhe më pas mund të vijë sërish një ftesë nga përfaqësuesja. Lojtari vetë është besimplotë se diçka e tillë do të ndodhë dhe nuk nguron që të tregojë se mezi e pret rikthimin për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi: “Patjetër që besoj se do të kthehem. Mezi e pres që të vi në Kombëtare për të ndihmuar skuadrën”.

Lojtarët shqiptar, që në të shkuarën kanë provuar që të luajnë në Izrael nuk e kanë pasur dhe aq të

lehtë që të bëjnë para në këtë kampionat, por 23-vjeçari beson se do të bëjë mirë dhe në këtë sfidë të re. po ashtu vetë lojtari zbulon se si erdhi ky kalim tek skuadra izraelite: “E njoh këtë kampionat mund të them. Me Mariborin patëm ndeshjen e “play-off”-it me Hapoel Beer Sheva dhe ishte një kundërshtar shumë i fortë. Klubi shfaqi interes të madh dhe falënderoj menaxherin Avi Nimni, i cili është legjendë e klubit Makabi tel Aviv si dhe e Kombëtares së Izraelit, i cili mundësoi transferimin tim këtu”.

Në fund, nuk mund të anashkalohej dhe një pyetje sepse zgjodhi të luante në Izrael dhe jo në Shqipëri, ku kishte interes nga Partizani dhe Flamurtari. Ahmedi është i sinqertë me përgjigjen e tij: “Kampionati në Izrael është shumë më i fortë se edhe i Shqipërisë apo Sllovenisë, kështu që besoj se është një hap i rëndësishëm në karrierë për mua”.

/PËRGATITI: JURGEN ZELA/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.