Rikthehet Sukaj, gjen golin pas një muaji e gjysmë

Shkodrani Xhevahir Sukaj po kalon një moment delikat në karrierën e tij. 30-vjeçari, që nga rikthimi i tij te skuadra e Partizanit, pas aventurës në Malajzi, nuk ka arritur të ngjitet aty ku na ka mësuar për vite të tëra. I ndalur nga dëmtimet e shumta, Sukaj është rikthyer në lojtar stoli, pasi ka humbur formacionin titullar prej kohësh.
Juliano nuk e shihte si lojtar kyç, por s’po e bën as Starova. U mendua se largimi i italianit shoqëruar edhe me dëmtimin e Çanit, por edhe rikthimi i Starovës në krye të skuadrës, mund t’i jepnin mundësinë shkodranit të tregonte vlerat e tij dhe të kthehej sërish në një futbollist të rëndësishëm për kryeqytetasit. Diçka e tillë nuk po ndodh, pasi as në ndeshjen e djeshme, Sukaj nuk u preferua si titullar.

Shkodrani u hodh në fushë në minutën e 60-të dhe për 30 minuta, arriti t’i jepte fitoren Partizanit, duke konkretizuar një aksion mjaft të bukur. 30-vjeçari u rikthye te goli pas 1 muaji e gjysmë, pasi kishte shënuar në sfidën kundër Luftëtarit, të zhvilluar më 16 tetor 2017. Tashmë, në kampin e kuq shpresojnë që Sukaj të mos ndalet më, por diçka e tillë duket thuajse utopike, pasi shkodrani nuk po merr shumë minuta dhe nëse nuk luan disa ndeshje rresht në formacion, zor se mund të shënojë gola vendimtarë, në një moment ku sulmi i Partizanit vuan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *