Rexhinaldo i pamëshirshëm, zhyt Tiranën në krizë

0

Fitorja e parë e Kukësit në kampionat dhe arrin ndaj Tiranës, ekipi që ende nuk ka arritur të marrë pikë të plota. Tre gola të shënuar nga Rexhinaldo dhe një nga Muçi bënë që ndeshja të mbyllej me rezultatin 3-1. Një ndeshje e zgjidhur shpejt në fakt.

Rexhinaldo që në minutën e dytë arriti të shënojë për Kukësin. Galopim i sulmuesit, i cili pasi shmangu Atingën në hyrje të zonës, i vetëm me Likën nuk gaboi. Kjo bëri që edhe loja e skuadrës së Cungut të ishte e kujdesshme.

Tirana përpiqet për të gjetur golin e barazimit dhe rastin më të mirë e patën me Sentamu, por sulmuesi u tregua i pasaktë para Frashërit. Kur po mbyllej pjesa e parë, Rexhinaldo sërish shënoi për Kukësin. I lënë vetëm në një goditje këndi, ish-lojtari i Laçit me kokë nuk fali dhe e çoi skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes në avantazh të dyfishtë.

Ze Maria me nisjen e pjesës së dytë bëri tre lëvizje njëherazi. Nuk kishte çfarë humbiste dhe në fushë zbritën Muçi, Greca dhe Ofei, të tre lojtarë sulmues.  Ritëm tjetër nga Tirana, që përpiqet të hapë takimin dhe ia arrin.

Në të 61’ Frashëri nuk kontrolli topin si duhet dhe më pas topi shkoi te Ofei, i cili goditi shtyllën. Topi i kthyer u shfrytëzua nga Muçi, i cili shënoi për Tiranën. Gjithsesi shpresat u shuan shpejt, pasi Rexhinaldo tre minuta më pas shënoi sërish për Kukësin.

Lika devijoi një kros në zonë dhe Rexhinaldo në gatishmëri goditi fort dhe shënoi për verilindorët. 3-1 dhe deri në fund rezultati nuk ndryshoi, ndërkohë që edhe ritmi i lojës ra disi. Në të 70’ Cungu pretendoi për një penallti, por gjyqtari Xhaja bëri shenjë për vazhdimin e lojës.

Kukësi me këtë fitore shkon në kuotën e katër pikëve, duke u ngjitur në klasifikim, kurse Tirana mbetet në vend të parafundit me vetëm një pikë.

EPISODET

90′ – Kundërsulm i Kukësit, Rexhinaldo pason për Uilliam, ky i fundit kërkon më pas të shërbejë për Rexhinaldon, Kërçiku largoi rrezikun. Goditje këndi, pas së cilës Shameti me kokë e çon topin pak mbi tra.

71′ – Ofei futet në zonë, por nuk është në kënd të mirë me portën. Topi i gjuajtur prej tij përfundon mbi tra.

70′ – Protesta për penallti pas një dueli të Uilliam me Atinga. Cungu nga pankina “tërbohet”, por gjyqtari Xhaja nuk mendon njëlloj.

66′ – Kros në zonë, Atingah kërkon të shërbejë për shokët e tij, por topii devijua drejt portës. Jashtë.

64′ GOL – Rexhinaldo në zonën e Tiranës nuk fal me një goditje potente. Sulmuesi shënon golin e tretë personal. Lika nuk e largoi topin siç duhet pas krosit nga e djathta.

61′ GOL – Ernest Muçi ka hapur takimin me golin e realizuar. Frashërit i ikën topi nga duart, Ofei goditi shtyllën dhe topi shkoi te Muçi, i cili shënoi.

53′ – Ofei, ganezi i Tiranës, vuri në provë Frashërin me nje gjuajtje në zonë. Portieri korçar reagoi si duhet, duke shmangur golin

48′ – Uilliam shfaqet rrezikshën në zonën e Tiranës. Braziliani kërkon të godasë portën, por topi i gjujatur prej tij ndalet nga mbrojtja mike.

46′ – Pjesa e dytë nis me tre zëvendësime. Muçi, Greca dhe Ofei u aktivizuan në vend të Blazhevskit, Karabecit dhe Sentamu.

45+2′ GOL – Rexhinaldo me kokë shënoi golin e dytë personal. Pas një goditjeje këndi, sulmuesi nuk fali dhe mposhti Likën për të dytën herë.

44′ – Harba për Kukësin provoi me një goditje në hyrje të zonës. I pasaktë sulmuesi në tentativën e tij.

42′ – Sentamu pati mundësinë të barazonte shifrat, por gjuajtja e tij pak metra me portën përfundoi mbi tra.

32′ – Karabeci niset të shërbejë për Sentamu, por krosi i tij ktheher në gjuajtje në portë, por pa saktësinë e duhur.

24′ – Erjon Hoxhallari provoi me një goditje potente në hyrje të zonës, portieri Frashëri reagoi në kohë, duke e grushtuar dhe nxjerrë jashtë topin e gjuajtur nga mbrojtësi i majtë.

19′ – vertikalizim për Blazhevskin, i cili merr topin në zotërim dhe mund të dilte i vetëm me portierin Frashëri. Gjithsesi anësori sinjalizon për pozicion jashtë loje. Rast i dyshimtë.

14′ – Arbër Çyrbja pësoi një dëmtim dhe trajneri Cungu hodhi në fushë shkodranin Arlind Kalaja. Durrsaku doli me barelë nga fusha.

11′ – Blazhevski i Tiranës provon me një goditje nga distanca, topi shumë larg kuadratit. Asnjë rrezik për portierin Frashëri.

2′ GOL – Kundësulm i Kukësit. Rexhinaldo shmang një nga kundështarët në mes të fushës, më pas Atingën në zonë. Më pas mposht edhe portierin Lika dhe kalon Kukësin në avantazh.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 3

E diel, më 2 shtator, ora 16:45
Stadiumi “Loro Boriçi”, Shkodër

KUKËSI-TIRANA 3-1
Shënues: Rexhinaldo 2′, 45+2′, 64′ / Muçi 61′

Kukësi: Frashëri– Maliki , Shameti, Cuculi, Zguro – Çyrbja (Kalaja 14′), Limaj, Musolli, Uilliam – Harba (Dzaria 66′), Rexhinaldo (Shpehar 94′). Trajner: Armando Cungu.

Tirana: Lika – Kërçiku, Cake, Atinga, Hoxhallari – Hasani, Mauxhe, Kobinah, Karabeci (Greca)– Sentamu (Muçi), Blazhevski (Ofei 46′).  Trajner: Ze Maria

Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Fiqiri Haxhiraj

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Astrit Mahmuti, Alfred Shkreta, Kreshnik Barjamaj
Karton i verdhë: Frashëri 75′

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.