Prapaskena e ofertës së Sadikut nga Malaga: Trajneri më tha se është prestigj të kemi ty

Armando Sadiku është duke u aktivizuar dhe ka fituar minutat e duhura te Malaga, madje edhe duke gjetur rrjetën. Sulmuesi shqiptar ka treguar edhe disa prapaskena në lidhje me ofertën që mbërriti në merkaton e verës.

Kështu, Sadiku është shprehur për “Supersport” se ka pasur direkt një telefonatë nga trajneri i skuadrës spanjolle, duke marrë vlerësimin më të lartë. “Dëshira ishte e madhe të shkoja diku ku të luaja, që të isha në elitë. Por duke parë emrin e madh të Malagas, që gjithmonë ka qenë në La Liga, nuk ngurrova ta pranoja ofertën.

Që kur erdhi oferta më tha trajneri se është prestigj që të kesh një lojtar si ty te Malaga. Më kanë pritur shumë mirë dhe kanë rritur vetbesimin tim. Kështu ti bëhesh edhe me krahë. Tani dua të kthehem në Kombëtare dhe të shënoj gol. Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj bënë mirë me Islandën, por nuk e quaj konkurrencë. Unë isha sulmuesi i 5 para Europianit dhe shkova duke luajtur 3 ndeshje për 90 minuta”, ka thënë Sadiku. /Sport Ekspres/