Peqini: Fanella e Dinamos është e rëndë

0

Kapiteni i skuadrës së Dinamos këshillon shokët e skuadrës, ndërkohë që shpreh besimin e tij se ndaj Erzenit mund të marrin rezultat pozitiv

Jurgen Zela

Dinamo nuk po arrin që të gjejë shtegun drejt elitës së futbollit shqiptar. Kryeqytetasit e kanë nisur sezonin pa pretendime madhore, pasi dhe mungesa e terreneve sportive e kushtëzon diçka të tillë. Pas humbjes në javën e parë me Besën, blutë rikthehen të luajnë si pritës në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, por pa praninë e tifozëve, pasi ky kompleks nuk i përmbush të gjitha kushtet e licencimit. Përballë Erzenit, të besuarit e Igli Allmuçës do të synojnë që të bëjnë mirë për të arritur të marrin pikët e para në këtë edicion të ri. Roland Peqini do të jetë kapiteni i skuadrës këtë edicion dhe do të synojë që me eksperiencën e tij ta ndihmojë Dinamon. Për “Sport Ekspres”, mbrojtësi i cili ka qenë pjesë e kryeqytetasve në titullin e fundit që kanë fituar, si një lider i vërtetë nuk i kurseu këshillat për lojtarët e rinj. Njëkohësisht ai beson te një rezultat pozitiv përballë Erzenit, edhe pse e di se nuk do të jetë e lehtë. “Nuk duhet të harrojmë që kemi veshur një fanellë të rëndës si kjo e Dinamos. Të rinjtë nuk duhet ta quajnë më veten të rinj, por të vlerësojnë maksimalisht fanellën që veshin. Duhet ta konsiderojnë të gjithë fat që janë pjesë e një ekipi me shumë histori në futbollin shqiptar. Duke nisur që nga unë, si kapiteni i skuadrës, dhe deri te i fundit, duhet të japim shpirtin në çdo moment për fanellën që përfaqësojmë. Nuk duhet të harrojmë se kush është Dinamo. Përballë Erzenit e dimë se do të jetë një përballje e vështirë, por ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe besojmë shumë te një rezultat pozitiv”, përfundoi kapiteni Peqini.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image