Oskar Tabarez pjesë e librit “Guinness”, askush si mjeshtri uruguaian!

Oskar Tabarez është një legjendë e gjallë dhe një idhull në Uruguai, por jo vetëm. 71-vjeçari emocionoi të gjithë tifozët gjatë Botërorit të Rusisë me insistimin dhe kurajën e tij për të drejtuar kombëtaren nga stoli, pavarësisht se vuante nga sindroma “Guillain-Barrè”, që i kufizon lëvizshmërinë dhe nuk i lejonte të qëndronte në këmbë.

Tabarez, i cili drejton Uruguain që nga viti 2006, fitoi Kupën e Amerikës në vitin 2011, ndërsa një vit më parë dërgonte Uruguain në gjysmëfinalet e Botërorit të Afrikës së Jugut. 71-vjeçari ka fituar më parë Kupën Libertadores me Penarolin, disa trofe me Boka Zhuniors, ndërsa ka provuar dhe eksperiencën e futbollit italian, ku ka drejtuar ekipet e Kaljarit dhe Milanit.

Së fundmi “mjeshtri” ka rinovuar me katër vite kontratën e tij me Uruguain dhe qëllimi i tij është marrja pjesë në Botërorin e Katarit 2022, ndërsa ëndrra mbetet fitimi i kompeticionit. Për të “certifikuar” dashurinë e pakushtëzuar të popullit uruguaian për kreun e stolit ka menduar “Guinness World Records”.

Tabarez është futur në librin e rekordeve falë numrit të ndeshjeve me kombëtaren e Uruguait, të cilët i drejton nga viti 2006, ndërkohë që i ka drejtuar dhe në vitet 1988-1990. Tabarez numëron 185 ndeshje në drejtimin e kombëtares dhe katër paraqitje në Botërore, numra që nuk i ka arritur asnjë trajner tjetër në historinë e futbollit.

Me 185 ndeshje në stolin e kombëtares “Celeste”, Tabarez ka kaluar gjermanët Sep Herberger dhe Hoakim Lëv, me nga 167 ndeshje në drejtimin e “Pancerave”. Me 4 pjesëmarrjet në Botërore, duke nisur nga: Itali 1990, Afrika e Jugut 2010, Brazil 2014 dhe Rusi 2018, Tabarez ka barazuar gjermanin Helmut Shon dhe anglezin Valter Uinterbotom, ndërsa nëse pjesëmarrja në Katar 2022 do e bënte Tabarezin numrin një në histori me 5 Botërore në krye të një kombëtareje.

Rreth 30 vite pas ndeshjes së parë në stolin e Uruguait (27 shtator 1988), trajneri i famshëm ka dashur t’ia dedikojë tifozëve rekordin e dyfishtë.

Asnjëherë nuk e kisha imagjinuar se do të arrija një objektiv të tillë dhe mendoj se kjo është e mundur falë dashurisë së njerëzve dhe mbështetjes së familjes time. Besimi i tifozëve dhe përfshirja e plotë në një projekt të përbashkët i kanë lejuar futbollit uruguaian dhe ekipit kombëtar të gjenerojnë një ndjenjë shumë të fortë të bashkimit dhe rritjes, që ka hedhur themelet për brezat e ardhshëm. Kjo është ajo që vlen më shumë se rezultatet sportive”, përfundon mjeshtri i Uruguait.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *