Një ditë pas grindjes fizike në stërvitje, Zhegrova dhe Kololli ulen në mesin e fushës

Pas zënkës gjatë seancës stërvitore të mbrëmjes së djeshme, Kololli dhe Zhegrova i kanë ulur gjakrat me njëri-tjetrin. Dy futbollistët e përfaqësueses së Kosovës u konfliktuan edhe fizikisht duke shtyrë njëri-tjetrin, por tashmë situata ka ndryshuar.

Me sa duket trajneri Shaland ka vendosur të qetësojë njëherë e mirë situatën, teksa gjatë seancës së sotme stërvitore duken të dy futbollistët të ulur në mesin e fushën duke biseduar, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve vazhdon stërvitjen normalisht. Ndoshta është kjo mënyra që tekniku i Kosovës ka zgjedhur për të vendosur paqe mes tyre, nëpërmjet komunikimit vetëm për vetëm me njëri-tjetrin.

Konflikte të tilla nuk i nevojiten aspak dardanëve, të cilëve u duhet qetësia në grup për të përgatitur në mënyrë sa më të mirë ndeshjen e radhës ndaj Malit të Zi, ndaj të cilëve do të luajnë një ndeshje mjaft delikate. Këtë gjë Shaland e di më mirë se kushdo dhe nuk mund të tolerojë një prishje të harmonisë së grupit në këtë moment./Sport Ekspres/