Nejmar tek Reali, pesë njerëzit që do të ndikojnë!

Ylli brazilian pritet të transferohet në Madrid në verë. Babai i tij (njëkohësisht dhe agjenti), ka filluar kontaktet me presidentin Perez

Çështja Nejmar po merr gjithmonë e më shumë vëmendjen e mediave spanjolle. Sipas tyre, një rikthim i Nejmar në Spanjë duket i paevitueshëm, jo tek Barcelona, por tek Reali i Madridit. Vetë Nejmar nuk e ka mohuar asnjëherë një rikthim të tij në Spanjë, por nuk ka preferuar të përmendë ndonjë ekip. Ylli brazilian u transferua verën e kaluar tek PSG-ja për një shumë rekord (222 milionë euro), duke u bërë futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Nejmar tek Reali i Madridit duket një transferim i sigurt dhe për të ndodhur kjo gjë, mund të ndikojnë pesë njerëz të rëndësishëm të futbollit.

Babai i Nejmar

Pas çdo lëvizjeje që bën Nejmar, fshihet i ati i tij, Nejmar Senior. Këtë të mërkurë, mediat franceze kanë bërë me dije se i ati i Nejmar ka nisur bisedimet me klubin e Real Madridit dhe me presidentin Perez. Për të transferuar Nejmarin tek ndonjë klub, fillimisht duhet të bindet babai i tij, Nejmar Senior. Prandaj, presidenti Perez është në tratativa që të bindë të atin e Nejmarit për të sjellë yllin brazilian në “Santiago Bernabeu”.

Perez

Presidenti i Reali, Florentino Perez është nga të paktët njerëz që sjellin në skuadrën e tyre lojtarë “Galaktikë”. Miliarderi spanjoll nuk frenohet asnjëherë që të përforcojë skuadrën e tij. Edhe në rastin e Nejmarit, Perez pritet të shpenzojë shifra faraonike. Oferta që mund të shkojë drejt PSG-së pritet të kapë shifrat e 230 milionë eurove. Gjithsesi, nuk ka asgjë konkrete sa i takon transferimit të Nejmarit në Madrid.

Vetë Nejmar

Edhe pse i ati i tij është ai që vendos në shumicën e rasteve, edhe vetë Nejmar mund të vendosë për të ardhmen e tij. Sulmuesi brazilian nuk po kalon momente të mira në Francë dhe përplasjet e tij me shokët e skuadrës vazhdojnë të jenë të pranishme. Me Kavanin nuk shkon mirë, por as me disa lojtarë të tjerë, të cilët e kanë quajtur Nejmarin si një lojtar të privilegjuar më shumë seç duhet. Nejmar preferon të rikthehet në Spanjë dhe destinacioni i tij pritet të jenë “Los Blancosit”.

Zahavi

Një emër jo i panjohur për futbollin evropian. Izraeliti Zahavi cilësohet si negociatori më i mirë në tregun e futbollistëve dhe është raportuar se është pikërisht izraeliti ai që është mes dy palëve, Nejmar-Real Madrid. Presidenti Perez dhe Zahavi janë shumë miq të mirë me njëri-tjetrin dhe ky i fundit pritet t’i lehtësojë punën Realit të Madridit. Zahavi është edhe agjenti i Levandovskit, tjetër lojtar që lidhet me një transferim në “Bernabeu” gjatë verës.

Hamad al-Tani

Taim Hama al-tani është sheik i Katarit dhe zotërues i PSG-së. Mediat franceze raportojnë se Perez duhet të gjejë gjuhën e përbashkët me al-Tanin në mënyrë që t’i afrohet Nejmarit. Sheiku arab nuk ka ndërmend të humbasë 222 milionë euro për një vit, e sidomos pasi Reali ishte skuadra që e eliminoi nga Liga e Kampionëve. Reali pritet të shpenzojë shumë që të sjellë Nejmarin në Madrid, pasi në të kundërt, PSG-ja nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shërbimet e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *