Ndoj shënon në sytë e të atit, një përrallë e nisur nën… vullkan

0

Anton Cicani

Thonë që edhe në ditën më të keqe, mund të gjesh diçka të mirë. Dhe, Emanuele Ndoj sigurisht që do ta mbajë mend gjatë sfidën ndaj Ukrainës, në Francë, Evian, aty ku liqeni ndoshta i ka kujtuar detin ku edhe është rritur…
Ishte viti 1996 dhe në atë kohë, në ishullin e Siçilisë, në Katania, do të hapte sytë për të parën herë i vogli i familjes Ndoj, Emanuele…

Një emër tipik italian, edhe pse familja me origjinë përtej Adriatikut. Në Katania, aty kur zgjohesh në mëngjes lutesh që vullkani Etna të vazhdojë të flejë dhe të mos zgjohet si shpesh bën, Emanuele u rrit dhe shkollua, deri sa më pas, pasioni i futbollit e “joshi” dhe e bëri për vete, deri sa shpesh qëndronte deri në mbrëmje duke luajtur me shokët dhe duke provuar talentin e tij. Padova ishte trampolina e parë. Një mundësi e artë për të dhe familjen e tij. Ishte viti 2013 dhe Emanuele ishte vetëm 17 vjeç. Roma ia hodhi sytë pas një ndeshje mes të rinjsh dhe vendosi ta merrte në kryeqytet dhe ta rriste si duhej.

Ndoj menjëherë tregoi vlerat e tij dhe u dallua për karakteristikat si në nisjen e manovrave sulmuese, ashtu edhe në ato mbrojtëse. i gjatë 187 centimetra dhe 77 kg, Ndoj është tipi i futbollistit që mund të jetë i rrezikshëm edhe me kokë në sajë të staturës së tij. Ndoshta, këto cilësi bënë që edhe Breshia të besonte te ai kur ia kërkoi Romës dhe sot e gëzon, duke vendosur një çmim të lartë, thuajse 5 mln euro për ata që e duan.

Alban Bushi do ta grumbullonte për sfidat kualifikuese të Shpresave, teksa një dëmtim bëri që të mungonte ndaj Estonisë, por Ndoj është gati për provimin më të vështirë: kombëtaren e madhe. Kristian Panuçi ka pasur fatin ta shohë përballë, kur stërviste skuadrën e Ternanës në Serinë B, përpara se të binte në Lega Pro. Ai ka vazhduar ta ndjekë dhe beson te futbollisti dhe cilësitë e tij, teksa edhe Strotman, një ndër mesfushorët më të mirë në botë në atë rol, i ka dhënë nota pozitive kur stërviteshin bashkë dhe kur holandezi, pas dëmtimit të rëndë, nisi rehabilitimin nga Primavera e Romës.

Tani, Ndoj jo vetëm që pati shansin e madh të luajë me Shqipërinë e madhe, por edhe arriti të realizonte ëndrrën dhe të shkruante përrallën e tij, një gol kuqezi ndaj Ukrainës. i pari për të, nën sytë e të atit Zef Ndoj, që sigurisht ka bërë sakrifica për ta rritur dhe për t’i dhënë mundësinë që të bëhet futbollist profesionist. Fundja, për një që ka lindur “nën” një vullkan, presioni nuk duhet të jetë problem…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.