Muzaka, Gavazaj dhe Dita, garë për dy vende

Lilaj dhe Xhejms janë mungesa të sigurta dhe trajneri Daja duhet të vendosë për zëvendësuesit. Alternativat janë tre, ndërsa skema nuk ndryshon

Leonard Trebicka

Korçarët kanë filluar dje përgatitjet për ndeshjen me çekët e Mladës. Trajneri Ilir Daja nuk do të ketë në dispozicion tre lojtarë, dy prej të cilëve të rëndësishëm. Sabjen Lilaj, Xhejms Adeni dhe Goran Vujoviç nuk do të jenë në dispozicion për transfertën çeke dhe që dje trajneri kryeqytetas ka filluar të mendojë për zëvendësuesit. Lilaj u ndëshkua me karton të kuq dhe nuk llogaritet, ndërsa Xhejmsi mund të jetë në stol. Pas dëmtimit që pësoi, të mërkurën mund të bashkohet me grupin dhe nuk mund të jetë gati ta nisë nga starti. Edhe Vujoviç është një mungesë e sigurt për shkak dëmtimi, por që nuk ndikon shumë, pasi nuk ishte llogaritur si pjesë e formacionit. Kryeqytetasi i stolit të Skënderbeut nuk kishte llogaritur kaq mungesa, por në sulm dhe në mesfushë i duhet të ndërhyjë për takimin e radhës. Ndoshta për takimin e kthimit do të ketë në dispozicion edhe lojtarin nga Gambia, Ali Soue.

BALOTAZHI – Dy mungesa titullarësh dhe tre alternativa për trajnerin Daja. Ata që do të luftojnë për këto dy vende në formacion janë Gjergji Muzaka, i cili ka edhe më shumë shanse, Bruno Dita dhe Enis Gavazaj. Muzaka bën më mirë rolin e mesfushorit organizator se Dita, i cili është më tepër shkatërrues. Këta dy lojtarë luajnë për një vend dhe në fund vendos Daja. Xhejmsi, do të zëvendësohet me shumë gjasa me Latifin, i cili do të kalojë në majë të sulmit dhe në krahun e majtë pritet të jetë Enis Gavazaj nga starti. Në takimin e fundit ndaj Kairatit, Daja surprizzoi me lëvizjen taktike të Latifit, nga mesfushor krahu, në sulmues. Kjo e çorientoi edhe Kairatin, që humbi në Korçë. Edhe në Çeki, për shkak edhe të mungesës së Xhejmsit, Latifi do të luajë si sulmues, ndërkohë që Plaku, edhe pse shënoi, ka mundësi të madhe ta nisë nga stoli dhe të aktivizohet në pjesën e dytë.

FORMACIONI – Duhen edhe disa ditë deri në takimit mes Mladës dhe Skënderbeut, që luhet të enjten e 27 korrikut, në orën 18:00, por që tani disa gjëra janë të qarta. Është e sigurt, që skema e Skënderbeut edhe në këtë përballje do të jetë 4-1-4-1, pasi ka rezultuar pozitive, sidomos ndaj Kairatit. Prapavija nuk do të lëvizë, me Shehin në portë dhe para tij Vangjelin, Micin, Radasin dhe Jashanicën. Edhe Osmani është i palëvizshëm para mbrojtjes. Në mesfushë, Afrim Taku e ka siguruar tashmë vendin në formacion, në krahun e djathtë. Në qendër pritet të shikojmë dyshen Muzaka-Nimaga. Në të majtë, Gavazaj me shumë mundësi do të zërë vendin e Latifit, i cili do të luajë si sulmues, për shkak të mungesës së Xhejmsit. Ky pritet të jetë formacioni për ndeshjen e së enjtes.

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut

Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani – Taku, Muzaka, Nimaga, Gavazaj – Latifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *