Mister Panuçi, tani bëje zemrën “Gur”-i!

Djaloshi është rritur dhe tani po tregon potencialin e tij javë pas jave… 15 gola sezonalë, klas, teknikë dhe shtatlartësi…

Koment nga Anton Cicani

E dimë që e ke të vështirë t’i japësh mundësi lojtarëve të Superligës. E dimë dhe se i beson më shumë atyre që luajnë jashtë vendit dhe që mund të marrësh dy lojtarë si Gavazaj dhe Abazaj dhe t’i stërvitësh duke mos i dhënë mundësi.

E dimë dhe që në dhomën tënde, më shumë televizori dhe laptopi qëndrojnë në Bundesligë, Serinë A, Zvicër e kështu me radhë, teksa ndeshjet e kampionatit shqiptar kalojnë në plan të dytë.

Por, këtë herë, mos bëj sikur nuk e ke mendjen mister Panuçi! Jo, këtë herë, mos e bëj. Sepse, në Kukës, luan një djalë i urtë dhe punëtor, që është vetëm 24-vjeç dhe që po flet nga java në javë me gjuhën e golave, sepse ai është zanati i tij.

Dhe, duke qenë se ty mister Panuçi të pëlqejnë shumë shifrat dhe statistikat, siç edhe ke thënë, atëherë djali i quajtur Sindrit Guri ka shënuar sot tripletë ndaj Partizanit dhe ka shkuar në kuotën e 15 golave. Do të thuash, epo në Shqipëri luan…

E vërtetë, por niveli i tij është aq i mirë saqë mund të luajë padiskutim në Greqi, Serinë B italiane, Zvicër, në kategorinë e dytë gjermane, Rusi, por sidomos në Rumani… Praktikisht, a nuk janë këto vendet ku kemi peshkuar dhe vazhdojmë që të peshkojmë?

Guri është duke bërë padiskutim një ndër sezonet më të mirë të karrierës (ashtu si me Korabin në Kategorinë e Parë), por deri tani, vetëm 24 vjeç, në Superlige ka zhvilluar 99 ndeshje dhe ka shënuar 19 gola. Në Kategorinë e Parë shënoi 20 me Korabin, por zëre se nuk i quajmë ato, sepse janë pikërisht Kategoria e Parë.

I shpejtë, teknik, i fortë me kokë dhe nga ato sulmues elegantë, që dinë se çfarë do të bëjnë. Mund të shkonte në Kore, por preferoi të qëndronte, pasi do të humbiste. Duhet kurajo dhe guxim edhe për këtë zgjedhje dhe Guri e ka.

Tani, mister Panuçi, nuk të mbetet vetëm se ta bësh zemrën “Gur”-i… Në qershor, merre në Zvicër për përgatitjet dhe miqësoret…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *