Mësoni oraret/ Java e ardhshme me sfida të nxehta, ndizet kampionati në Superiore

Java e katërt në kampionatin shqiptar tregoi se më të “fortët” mund të mposhten. Tregoi se edhe skuadrat modeste kanë karakter dhe grupin e bashkuar për të siguruar pikët e mjaftueshme në renditje. Kështu, Bylis, surpriza e këtij kampionati, mposhti edhe Kukësin pas Skëndërbeut. Dy nga skuadrat më pretendente të kampionatit kanë dal kokëulur nga ballshiotët si brenda dhe jashtë stadiumit të tyre. Padyshim ndeshjet më emocionuese që sportdashësit po shijojnë. Por a do të bëjë Bylis të njejtën gjë edhe ndaj Partizanit?

Java e ardhshme na sjell takime mjaft të “nxehta” në kalendari e Superligës.  Kukësi pas hapit fals në Ballsh, pret Tiranën për duelin më të shumpritur të të fazës së parë. Dy skuadrat pretendete përballë njera tjetrën të shtunën për kreun e përkohshëm të kampionatit. Spektakël i garantuar pritet në “Elbasan Arena” nga dy skuadrat që kanë shënuar më tepër.

Në “Selman Stërmasi” Partizani duhet të korigjojë humbjen ndaj Laçit. Të kuqtë presin po të shtunën Bylisin surprizues të këtij edicioni. Një presion i ndezur tashmë te kryeqytetasit të cilët vuajnë për rezultat. Nga ana tjetër ballshiotët janë në delirin e fitoreve të papritura. Pafrikë mund të thuhet se sfida është e hapur.

Në Korçë vendasit presin Teutën e Bledi Shkëmbit. Skëndërbeu vjen pas një humbje turpëruese ndaj Tiranës por dhe jo vetëm. Bardhekuqtë nuk janë bindës në lojën e tyre ndërsa Teuta ka treguar se nuk del pa pikë në çdo ndeshje. Vendi i dytë me tetë pikë për dursakët të cilët shohin edhe për më lartë. Takimi i tretë i ditës së shtunë që do të ndaj shumë gjëra në kampionat duke qartësuar pretendentët.

Flamurtari nuk di të fitojë. Katër ndeshje, të katërta humbje. Mungesë goli teksa i pari erdhi nga Sukaj javën e kaluar. Vlonjatët presin Laçin të dielën në një sfidë që duhet të jetë kthesa e krizës së skuadrës. Ndërkohë skuadra e Starovës ka arritur fitoren e parë në kampionat ndaj Partizanit. Laçianët janë karikuar për të tjera pikë në kampionat.

Vllaznia – Luftëtari mbyll pesëshen e takimeve të cilat mbyllin të dielën një tjetër javë. Shkodranët nuk e kanë nisur keq, megjithëse 5 pikë në katër ndeshje nuk janë mjaftueshëm. Nga ana tjetër Luftëtari ka rrëmbyer javën që lamë pas pikët e para me një fitore ndaj Flamurtarit. Gjirokastritët shohin vijën e kuqe për momentin dhe një mobilizim i skuadrës do shërbente për të mos synuar vetëm mbijetesën.

Takime mjaft interesante dhe përballje të forta do të mirëpresin javën e pestë në Superligë. Edhe këtë javë orari do të mbetet i ndryshuar. FSHF ka fiksuar orën 16:00 për të pesta takimet duke mos u besuar ende ndriçimit në stadiume. Për lojtarët ky orar mbetet ende një problem pasi sipas tyre gjendja fizike nuk është maksimale në motin e nxehtë të mesditës./ Sport Ekspres /

E shtunë 16:00

Kukësi-Tirana
Partizani-Bylis
Skënderbeu-Teuta

E dielë 16:00
Vllaznia-Luftëtari
Flamurtari-Laçi