“Më mirë ta qepi gojën”, trajnerit serb nuk i besohet me Joviç: Bën gjithçka për të shkatërruar karrierën

Luka Joviç është kthyer në qendërn e vëmendjes kohët e fundit dhe kjo jo për shkak të aftësive të itj në fushën e lojës por për hir të sjelljes së tij aspak të matur. Sulmuesi serb shkëlqeu sezonin e shkuar në radhët e Eintraktit të Frankfurtit, duke sjellë edhe interesin e gjigantit spanjoll, Real Madrid. “Los blancos” nuk hezituan të shkundnin xhepat e tyre për të siguruar shërbimet e tij, edhe pse Joviç është një 23-vjeçar. Por fanella e Realit ka shumë peshë dhe lojtari serb nuk po e shpalos të gjithë potencialin e tij në Madrid, ndërsa si për të mos mjaftuar kjo rrezikoi edhe burgun me sjelljen e tij aspak të tolerueshme, duke thyer rregullat e karantinës për të festuar ditëlindjen e të dashurës së tij.

Kritikat pas kësaj kanë qenë të shumta dhe një ndër tyre që nuk e pëlqen aspak mënyrën e të vepruarit të sulmuesit është trajneri serb, Dragoslav Stefanoviç. Ky i fundit thotë se Joviç është duke bërë gjithçka për të shkatërruar karrierën e tij, ndërsa shprehet se nuk arrin dot ta besojë këtë sjellje të lojtarit 23-vjeçar.

“Ai është i vetmi njeri që po bën gjithçka për të shkatërruar karrierë e tij. Joviç po punon kundër vetes. Ai ishte me fat që Adi Huter i dha një shans te Eintrakti nga ku edhe bëri transferimin më të madh në historinë e Serbisë për të shkuar te Real Madridi. Nuk mund ta besoj çfarë ky djalosh po i bën vetes. Lexoj në mediat në Serbi dhe e di jetën që ai ka pasur. E di që kur ishte fëmijë flinte në makinë me të atin për të pritur mëngjesin për t’u stërvitur. Çfarë sacrifice ka bërë… dhe pastaj ndodh kjo. Nuk e di, Luka qartësisht nuk mendon për veten e tij. I thanë se është e ndaluar (karantina), ndërsa ai pretendon se nuk kuptonte asgjë. Më mirë ta qepë gojën, të mos flaës. Nuk e besoj dot që bëri një gjë të tillë”, ka thënë Stefanoviç për “Kurir”./Sport Ekspres/