“Mbyllni sezonin e La Ligas në ishujt Kanarie”, një propozim i padëgjuar po vjen nga Spanja

Futbolli vijon të mbetet i pezulluar pa një datë se kur mund të rinisë sërish. Kjo ka bërë që klubet të hasen me probleme të mëdha ekonomike, prandaj përfundimi i sezonit është ajo që kërkohet me ngulm nga të gjithë. Por futbolli nuk është i vetmi që është prekur financiarisht, pasi edhe sektorë të tjerë të ekonomikë janë në të njëjtën situatë. Për këtë arsye një propozim interesant vjen nga shoqata e punonjësve të hotelerisë së Tenerifes. Sipas asaj që raporton “Marca“, presidenti i tyre, Jorge Marichal, ka hedhur një ide të padëgjuar më parë që mund të rezultojë si një zgjidhje ‘fitore-fitore’ si për turizmin e një prej zonave më të pëlqyera nga vizitorët në Spanjë ashtu edhe për kampionatin spanjoll.

Duke qenë se Covid-19 ka dëmtuar turizmin në ishujt Kanarie, atëherë shoqata propozon që pikërisht në këtë vend të mbyllen të gjitha ndeshjet e mbetura të La Liga dhe La Liga 2. Sipas Marichal në ishujt Kanarie ka mjaftueshëm hotele sa për të mirëpritur të 42 skuadrat spanjolle. Në këtë mënyrë ekonomia në sektorin e tyre do të ringjallej, ndërsa klubet do të shpëtonin sezonin e tyre dhe do të zbusnin humbjet financiare nga kjo gjendje e krijuar. Grumbullimi i të gjithë ekipeve të futbollit në të njëjtin vend do të bënte të mundur gjithashtu shmangien e udhëtimeve të tyre sa nga një qytet në tjetrin, duke ulur kështu riskun për  përhapjen e virusit Covid-19. Shoqata e punonjësve të hotelerisë e ka bërë ofertën e tyre, tani pritet të mësohet se cili do të jetë mendimi i Federatës spanjolle në lidhje me këtë propozim./Halit Delibashi-Sport Ekspres/