Letra/ “Botë e çmendur, dua të zgjohem”! Makthi do të mbarojë, le të brohorasim sërish në stadium

0

Imagjinoni për një moment, kush mund ta mendonte këtë situatë se mund të vinte ndonjëherë në jetët tona, përpara disa muajsh apo edhe një viti ndoshta? Me siguri askush, madje as ata që kanë teori konspirative dhe mundohen t’i japin shpjegim gjithçkaje.

Një ëndërr e keqe dhe që po vazhdon, ndërsa këtë herë nuk e kemi ne në dorë që të zgjohemi si pas një makthi, paksa të tronditur, por me gjithçka që kalon për pak minuta. Kjo situatë na bën që të reflektojmë gjatë, kaq shumë gjatë me veten tonë.

Për të kuptuar se vërtet nuk jemi duke i dhënë vlerën gjithçkaje që na rrethon, por të verbuar për të kapur majën më të lartë, atje ku ndoshta edhe nuk na takon që të shkojmë. Po është e vërtetë, në këtë kohë ka edhe shumë moralistë që dalin në sipëpërfaqe, por famëkeqja COVID-19 është edhe një alarm që qendron ashtu si edhe zilet në kokën e krevatit kur ne flemë, për të na thënë: “ZGJOHU, erdhi ora”.

Ky është momenti, nuk mund të ketë një tjetër shpjegim. Për t’u transmetuar një mesazh i tillë, nuk mund të vinte në një tjetër mënyrë, veçse duke na bërë të gjithë që të jemi të rrezikuar dhe duke marrë jetë njerëzish të pafajshme. Mënyra më e ashpër, por e vetmja, askush nuk po zgjohej, ndryshe nuk kishte sesi.

Për të treguar se jemi të gjithë njësoj dhe nuk jemi superfuqi në këtë natyrë, ata të pamposhturit që kontrollojmë gjithçka. Tani një futbollist që ka shumë doktorë te koka dhe ka luksin e gjithë botës, nuk mund të bëj asgjë, por të qendrojë i frikësuar në shtëpi dhe i izoluar, ashtu si edhe gjithë njerëzit e tjerë, ata të thjeshtët.

Janë kaq shumë mesazhe që përcillen, me një gjendje që ndodh njëherë në shumë vite, por për të treguar një mesazh. Gjithçka që ndodh, vjen për një arsye. Kur ky makth të mbarojë, jeta do t’i kthehet normalitetit, duke dëgjuar jehonën e tifozëve në stadiume. Duke dëgjuar këngën e tyre që do të jetë edhe më e fortë, pasi gjatë gjithë kësaj kohe, kanë qenë të detyruar që të mbyllin gojën pa nxjerrë asnjë tingull.

Duke dëgjuar himnin Kombëtar në stadium, për të na rrënqethur mishin si kurrë më parë dhe për të na bërë që të jemi një të vetëm. Po ashtu si edhe për të parë Italinë që do të lulëzojë sërish, duke parë një tjetër “luftë”, shumë më të bukur, se kush do ta marrë kampionatin në Serinë A mes Juventusit dhe Lacios.

Për të parë sesi edhe në Itali do të këndohet himni në ndeshjen e parë të Kombëtares së tyre, pas gjithë kësaj tragjedie. Gjithmonë kanë ulëritur me shumë se të tjerët, por tashmë do të jetë edhe më e fortë jehona, me të gjithë lojtarët që do të duken si tenorë për ato 2 minuta. Sepse e tillë është jeta, një proces që ndryshon rregullisht, por gjithmonë do të vazhdojë. Edhe në zjarrin e madh që përfshiu dhe përpiu Australinë, tani kanë nisur të çelin lulet. Ne? Do të shkojmë sërish në stadium, për të kënduar si kurrë më parë dhe për të kuptuar se u kthyem në normalitet. Në fund të fundit, kjo është e gjithë jeta për ne. Do ia dalim, edhe në ndeshjen më të vështirë… /Sport Ekspres/

(Ky është artikulli i botuar nga “Sport Ekspres”)

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.